Erdogan vizitoi Serbinë, pret paqe në Ballkan

Pas Shqipërisë, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka vazhduar vizitën në Serbi. Në takim me presidentin serb, Erdogan, ka theksuar rëndësinë e paqes në Ballkan. Ka përmendur tensionet Serbi-Kosovë si dhe situatën në Bosnjë. Presidenti turk, Erdogan, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, theksoi rëndësinë e stabilitetit në Ballkan, veçanërisht në lidhje…

Lajme

11/10/2024 22:37

Pas Shqipërisë, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka vazhduar vizitën në Serbi. Në takim me presidentin serb, Erdogan, ka theksuar rëndësinë e paqes në Ballkan. Ka përmendur tensionet Serbi-Kosovë si dhe situatën në Bosnjë.

Presidenti turk, Erdogan, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, theksoi rëndësinë e stabilitetit në Ballkan, veçanërisht në lidhje me situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë.

“Theksuam rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe është shumë e rëndësishme të kemi qasje me mendje të shëndoshë kur bëhet fjalë për tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Edhe një herë konfirmuam vendosmërinë tonë për ta mbrojtur stabilitetin në Bosnjë dhe Hercegovinë. Mendoj se Serbia do të ketë një rol konstruktiv në këtë”, tha Erdogan.

Presidenti turk tha se kjo është “epoka e artë” e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ndërsa fokusi i bisedimeve ishin fushat e politikës, ekonomisë dhe sigurisë. Duke folur për luftën në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, ai tha se Turqia mbështet sovranitetin territorial dhe integritetin e Ukrainës dhe bëri thirrje që “është koha e fundit që të ndalen sulmet e Izraelit”, si dhe bëri thirrje vendeve ta njohin shtetin e Palestinës.

Presidenti Vuçiq theksoi se vizita e Erdoganit kontribuon ndjeshëm në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Turqisë, veçanërisht në fushën ekonomike dhe ushtarake.

Erdogan dhe Vuçiq, veçanërisht theksuan nevojën për bashkëpunim ushtarak ndërmjet Serbisë dhe Turqisë në fushën e industrisë së mbrojtjes, duke u bazuar në sistemet e mbrojtjes ajrore dhe dronët. Përfaqësuesit e dy vendeve nënshkruan 11 marrëveshje bashkëpunimi