Ende nuk dihet nëse dhe kur do të mblidhet Kuvendi, por çfarë mund të ndodhë sot?

Për momentin, nuk është paralajmëruar asnjë mbledhje e komisioneve parlamentare dhe as ndonjë seancë e Kuvendit të Kosovës. Kjo në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri dhe kur mbetet i papërfunduar edhe shqyrtimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Megjithatë, gjatë ditës mund të ketë thirrje për seancë të…

Lajme

06/10/2026 09:42

Për momentin, nuk është paralajmëruar asnjë mbledhje e komisioneve parlamentare dhe as ndonjë seancë e Kuvendit të Kosovës.

Kjo në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri dhe kur mbetet i papërfunduar edhe shqyrtimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Megjithatë, gjatë ditës mund të ketë thirrje për seancë të jashtëzakonshme.

Nëse Kuvendi arrin ta zgjedhë presidentin, legjislatura vazhdon mandatin dhe ndryshimet për Specialen mund ta vazhdojnë procedurën parlamentare.

Nëse presidenti nuk zgjidhet deri në skadimin e afatit kushtetues, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova hyn në një cikël të ri zgjedhor.

Kjo është arsyeja pse 6 tetori është, praktikisht, edhe mundësia e fundit që kjo përbërje e Kuvendit ta miratojë në lexim të dytë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin sot, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Por, kush do t’i shpallë ato?

Mandati gjashtëmujor i Albulena Haxhiut si ushtruese e detyrës së presidentit ka përfunduar, ndërsa Kushtetuta nuk e thotë qartë se kush i ushtron kompetencat presidenciale pas këtij afati.

Një paqartësi kushtetuese pikërisht në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit.

Derisa nuk ka zgjidhje mbi cështjet poliltike deri tani, presioni nga rruga pritet të vazhdojë edhe sot.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së u bëri thirrje protestuesve që të mblidhen sërish në mëngjes në sheshin e Prishtinës.

“Mëngjesi duhet të na gjejë të gjithëve në sheshin e Prishtinës”, thuhet në thirrjen e organizatës, e cila kërkon që Kuvendi ta përfundojë votimin e ndryshimeve për Specialen.

Protestat kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara dhe në mbështetje të ndryshimit të ligjit kanë nisur pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit më 16 shtator dhe kanë vazhduar për disa javë.