Emri i Presidentit në pritje, partitë s’nisin ende konsultimet e brendshme për të
Për çështjen e presidentit s’u morën vesh, por pas katër takimesh për një gjë ranë dakord. Takimi i së martës mes liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhikut, përfundoi me një zotim të përbashkët. Liderët do t’u ktheheshin strukturave të partisë me qëllim konsultimin për emra konkret për presidentin. Një ditë…
Lajme
Për çështjen e presidentit s’u morën vesh, por pas katër takimesh për një gjë ranë dakord.
Takimi i së martës mes liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhikut, përfundoi me një zotim të përbashkët.
Liderët do t’u ktheheshin strukturave të partisë me qëllim konsultimin për emra konkret për presidentin.
Një ditë pas, duket se bisedimet me anëtarë nuk kanë nisur ende.
Të paktën jo në Lidhjen Demokratike të Kosovës sipas deputetit të këtij subjekti politik, Anton Quni,
“Unë kam dal për disa çështje të tjera, ende nuk kemi ftesë për një takim. Besoj që kryetari e ka në konsideratë edhe besoj që shumë shpejtë do e diskutojmë këtë temë”.
Deputeti i LDK-së, thotë se për emra të përveçëm nuk kanë diskutuar as në mbledhjet e kaluara.
“Jo, për emra konkret nuk kemi fol. Kemi fol për procedura etj”, ka deklaruar Quni.
Televizioni Dukagjini kërkoi të dijë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje nëse kanë nisur konsultimet e brendshme, për çka nuk pati përgjigje zyrtare.
Tek selia e partisë, gjatë ditës nuk u panë as deputetë të kësaj partie, e të paqasshëm përmes telefonit ishin edhe disa prej tyre.
Ndërkohë, derisa liderët po kërkojnë formulën e përbashkët, analistët politikë thonë se zgjidhja është shumë e thjeshtë.
Sipas Fitim Mulollit, problemi kryesor është gatishmëria e kryeministrit në detyrë për të bërë kompromis.
“Një ditë kemi deklaratë pozitive, shpresëdhënëse, të nesërmen kemi deklaratë të ashpër ku sulmohet opozita. Kurti nuk është i gatshëm të bëjë asnjë milimetër kompromis me opozitën, siç ka qenë rasti në të kaluarën që kemi pas raste me LDK-në, PDK-në ku i kanë lëshu edhe kryeministrin partisë së dytë dhe të tretë”, ka deklaruar Mulolli.
Të dy liderët, në takimin e djeshëm, thanë se kanë diskutuar për profilin dhe kriteret që duhet t’i përmbushë një kandidat i propozuar për president.
Deri në mesditën e së mërkurës, nuk është bërë publik as data e takimit të pestë me radhë të dyshes, të cilat po zhvillohen me qëllim të zgjidhjes së ngërqit politik./dukagjini