“Elefanti në dhomë” – Kica-Xhelili reagon pas publikimit të bisedave nga kryesia: Hiperbolizimi i mendimeve personale, dikujt po i shërben

Disa biseda brenda grupit të kryesisë së LDK-së në “Viber”, janë publikuar e aty flitet për një “skemë të organizuar krimianle” në lidhje me votat me postë. Këto biseda janë publikuar për dy ditë me radhë, ndërsa në lidhje me to ka reaguar edhe nënkryetarja e LDK-së njëherit edhe deputete, Doarsa Kica-Xhelili. Ajo ka thënë…

Lajme

01/04/2025 19:05

Disa biseda brenda grupit të kryesisë së LDK-së në “Viber”, janë publikuar e aty flitet për një “skemë të organizuar krimianle” në lidhje me votat me postë.

Këto biseda janë publikuar për dy ditë me radhë, ndërsa në lidhje me to ka reaguar edhe nënkryetarja e LDK-së njëherit edhe deputete, Doarsa Kica-Xhelili.

Ajo ka thënë se janë tri grupe të cilat po e “sulmojnë” LDK-në, si grupi “ZdraVVo”, i është referuar ajo VV-së, grupi PDK f.m. stereo si dhe sipas saj grupi i tretë që është më vështirë i identifikueshëm.

“Sa i përket komunikimeve private në kryesi: Hiperbolizimi i mendimeve personale, dikujt po i shërben. Por jo edhe gjatë. Ekzaltimi i tyre përfundon në pastërtinë e konkluzionit në kryesi: Kush ka dëshmi për orientim jolegjitim të votës përbrenda – urdhëroni shkoni në prokurori. Përndryshe, ne nuk mund të lëshohemi në pakënaqësitë e rezultateve individuale të “thash më the”-ve. Ato vota janë votë e LDK-së. Se nëse dikush i ka orientuar brenda për brenda kundërligjshëm – adresën e trajtimit e kanë. Ne nuk jemi as prokurori, as gjykatë.
Këto tre grupe e kanë NJË të madhe të përbashkët: ELEFANTIN NË DHOMË, apo ndryshe thënë, nuk i konvenon një LDK e pavarur. Një LDK që nuk nënshtrohet në retorika boshe e zhurmë shurdhuese të urisë së dikujt për pushtet të pakuptimtë”, ka shkruar Kica-Xhelili.
Ajo ka thënë se atë që e bëjnë këto tre grupe nuk mund ta quan  “shantazh”, sepse sipas saj për të shantazhuar të duhet material ndërsa atyre kjo po iu mungon.
“Kësaj viroze të tyre i uroj shërim të shpejtë. Por ilaçin te ne s’do e gjejnë”, ka shkruar ndër të tjera ajo. /Lajmi.net/ 
Postimi i saj i plotë:

ELEFANTI NË DHOMË

Sot, LDK po e sulmojnë tre grupe:

Grupi i parë, është grupi ZdraVVo. Grupi që pas kapelave të Nagip Krasniqit fsheh kokën e tij, por jo edhe mendimet e Dejona Mihalit (tjerët nuk kanë mendim, vetëm amplifikojnë atë që e mendon ajo). Këtyre sot nuk i konvenon LDK e betonuar kundër tyre. Prandaj, këta që kanë perfeksionuar për vete skemat e mafisë energjetike nëpër grupe të Whatsappit, e kanë hak partinë që ua shpërfaqi gjithë skemat korruptive.

Grupi i dytë, është grupi PDK f.m. stereo. Grupi që me eksponentët e saj “analitik”, si një radio e stërvjetëruar, të shpërndarë nëpër emisione trumpetojnë se paskan mbështetur LDK-në, por se LDK qenka sot “e paguximshme dhe bllokuese”. Këta e kanë mbështetur rrejshëm një LDK me qëllimin që të bëhet levë e PDK-së, duke menduar që kështu e legjitimojnë presionin e tyre të mëvonshëm mbi LDK-në. Ju thash pra: të stërvjetëruar.

Grupi i tretë është më vështirë i identifikueshëm. Është zhurma e sulmeve që refuzon reformën në LDK. Me reformë nuk e mendoj ndryshimin gjeneracional, asnjëherë, por ndryshimin e mendësisë. Ndoshta nuk i konvenon kryetari; ndoshta nuk i konvenon LDK e qëndrimeve parimore, nuk e di.. por në një formë a tjetrën, bashkëshërbejnë në misionin e dy grupeve paraprake.

Sa i përket komunikimeve private në kryesi: Hiperbolizimi i mendimeve personale, dikujt po i shërben. Por jo edhe gjatë. Ekzaltimi i tyre përfundon në pastërtinë e konkluzionit në kryesi: Kush ka dëshmi për orientim jolegjitim të votës përbrenda – urdhëroni shkoni në prokurori. Përndryshe, ne nuk mund të lëshohemi në pakënaqësitë e rezultateve individuale të “thash më the”-ve. Ato vota janë votë e LDK-së. Se nëse dikush i ka orientuar brenda për brenda kundërligjshëm – adresën e trajtimit e kanë. Ne nuk jemi as prokurori, as gjykatë.

Këto tre grupe e kanë NJË të madhe të përbashkët: ELEFANTIN NË DHOMË, apo ndryshe thënë, nuk i konvenon një LDK e pavarur. Një LDK që nuk nënshtrohet në retorika boshe e zhurmë shurdhuese të urisë së dikujt për pushtet të pakuptimtë.

Atë që e bëjnë këto tre grupe s’e quaj dot “shantazh”, sepse për të shantazhuar të duhet material. E kjo e fundit i mungon – ndaj dhe viraliteti i mllefit.

Kësaj viroze të tyre i uroj shërim të shpejtë. Por ilaçin te ne s’do e gjejnë.