Ekspertët: UDB ende e pranishme në Kosovës
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, thotë se shërbimi sekret serb vazhdon të jetë prezentë në Kosovë, me veprimet e tyre. Rexhep Selimi nga VV thotë se Serbia ka pasur tre makanizma në Kosovë me të cilët ka ushtruar represionin.
Lajme
Gati 15 vjet janë bërë nga përfundimi i luftës, ndërsa Shërbimi sekret serb vazhdon të jetë i pranishëm në Kosovë.
Njohës të çështjeve të sigurisë dhe deputetë thonë shumica e vrasjeve që kanë ndodhur para luftës dhe pas saj janë kryer nga shërbimi sekret serb, UDB, raporton Kosovapress.
Njohësi i çështjeve të sigurisë Naim Maloku thotë se shërbimi sekret vazhdon të operojë në Kosovë.
“Unë kisha tërheq një paralele, tri vrasje, sipas mendimit tim karakteristike, aq sa kam mundur t’i studiojë dhe informacionit që kam pasur, por edhe mënyrës se si janë kryer. Është vrasja, apo rasti i Paraçinit, kur Aziz Kelmendi, sipas tyre, i vranë një numër të ushtarëve dhe ata zgjedhën prej të gjitha komuniteteve në atë kohë, të gjitha republikave të ish Jugosllavisë.
“ Është vrasja e të rinjve në Pejë, në kafiterin ‘Panda’, në vitin 1998, dhe vrasja e vitit të kaluar që ndodhi në Smilkovc . Në këto tri vrasje unë gjejë shumë karakteristika të përbashkëta, dhe jam i prirë të besoj dhe jam shumë i bindur që është e njëjta kokë që i ka menduar, planifikuar dhe realizuar”.
Ndërsa, Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, Rexhep Selimi përmend tre mekanizma të pushtuesit serb, me anë të të cilave ka ushtruar represion në Kosovë.
“Me përfundimin e luftës ne e dimë që tanket janë tërhequr nga Kosova, ne e dimë që edhe policia është tërhequr nga stacionet policore ku ka pasur, në shumicën e vende të Kosovës, por nuk është tërhequr UDB-ja, pra nuk është tërhequr shërbimi sekret serb, asnjëherë dhe nuk shënon një datë që është tërhequr nga Kosova.
“Madje, përkundrazi vetëm sa është forcuar duke menduar që ky shërbim sekret serb në Kosovë, do t’i zëvendësoj pak a shumë mungesën e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë. Vetëm sa është rritur fondi nga ana e Serbisë për këtë shërbim që e kryen UDB-ja, tashmë BIA e Serbisë”.
Edhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, Ahmet Isufi tha për se vrasjet që kanë ndodhur duhet të hetohen dhe të zbulohen saktë se a ka qenë shërbimi sekret serb mbrapa tyre.
“Gjithmonë, Serbia ka përdorë metoda të tilla për një shekull dhe nuk i ka lënë metodat e tilla pa i përdor, sidomos kur ka qenë në pyetje përçarja e shqiptarëve dhe një luftë vëlla vrasje e nxitur nga Serbia. Edhe në të kaluarën edhe tani me metodat e ndryshme përdor Serbia, dhe qëllimi i institucioneve tona duhet të jetë që ato të zbulohen dhe po ashtu të demaskohen politikat serbe”.