Edhe dy të tjera

Pas njohjes nga Libia, Grenada dhe Tajlanda, Ministri Enver Hoxhaj ka paralajmëuar se janë në radhë edhe dy vende të tjera që pritet ta njohin Kosovën gjatë muajit tetor.

27/09/2013 10:18

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar se pas njohjes nga Libia, Grenada dhe Tajlanda, janë në radhë edhe dy vende  të tjera që pritet ta njohin Kosovën gjatë muajit tetor.

“Po presim që gjatë muajit tetor t’i kemi edhe dy njohje të reja sërish nga Azia”, ka deklaruar Hoxhaj, në një intervistë për Epokën  Re.

“Njohjet nga këto tri vende të rëndësishme tregojnë se procesi i njohjeve për shtetin e Kosovës është i pandalshëm. Deri më tani, zyrtarisht shtetin e Kosovës e kanë njohur 104 shtete të ndryshme të botës, që do të thotë se procesi i njohjes së Kosovës është proces universal. Procesi i njohjeve do të vazhdojë edhe më fuqishëm në ditët e ardhshme.”

Ai ka thënë se pjesëmarrja e delegacionit të Kosovës në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së tregon për agjendën dinamike të diplomacisë kosovare.

“Kryeministri Thaçi dhe unë jemi duke zhvilluar takime të njëpasnjëshme me ministra dhe liderë të vendeve të ndryshme të botës. Nuk besoj se ka vend në Ballkanin Perëndimor që ka zhvilluar takime më shumë se shteti i Kosovës. Të gjitha këto takime flasin për një dinamikë të politikës së jashtme të Kosovës dhe për një shtetësi shumë aktive”, është shprehur Ministri Hoxhaj, për Epokën e Re.