Dukagjini me përforcim edhe nga Gjermania, nënshkruan me ish-futbollistin e Hamburgut
KF Dukagjini duket se edhe kësaj here ka zgjedhur që të punojë në qetësi për sezonin e ri. Skuadra e drejtuar nga Armend Dallku, që e mbylli sezonin si e katërta në sezonin e fundit në Superligë, këtë vit do të debutojë në garat evropiane. Dukagjini do të luajë në kualifikimet e Ligës së Konferncës.…
Sport
KF Dukagjini duket se edhe kësaj here ka zgjedhur që të punojë në qetësi për sezonin e ri.
Skuadra e drejtuar nga Armend Dallku, që e mbylli sezonin si e katërta në sezonin e fundit në Superligë, këtë vit do të debutojë në garat evropiane.
Dukagjini do të luajë në kualifikimet e Ligës së Konferncës. Deri tash dihet se në raundin e parë do të ketë punë me Europan e Gjibraltarit, teksa me kalim eventual në raundin e dytë, aty do të takohet me skuadrën kroate, Rijeka.
Klinasit nga 14 qershori kanë nisur me përgatitjet, derisa kanë bërë edhe disa përforcime.
“Express”, nga burimet pranë klubit, mëson se përforcimi i fundit i tyre është Dren Feka, i cili karrierën e deritanishme e ka ndërtuar thuajse të tërën në Gjermani, por është i njohur edhe për futbollin tonë.
Ai së fundmi ishte pjesë e Phonix Lubeck.
Feka si i ri ka qenë pjesë e TSV Bargteheide dhe klubit të njohur gjerman, Hamburgut. Te këta të fundit ai ishte aktivizuar në grupmoshat U17 dhe U19, si dhe me ekipin e dytë.
Mesfushori nga Kosova kishte regjistruar 44 paraqitje me ekipin e dytë të Hamburgut, teksa kishte shënuar tre gola dhe shtuar katër asistime.
Nga ekipi i parë i Hamburgut ai kishte kaluar te Luzerni, skuadra e njohur nga Superliga e Zvicrës, me të cilën bëri shtatë paraqitje – teksa kishte regjistruar 16 sosh me skuadrën U21 te Luzernit.
26-vjeçari ka qenë edhe pjesë e SV Drochtersen/Assel, FC Rot-Weiß Koblenz e Altona 93.
Dren Feka numëron gjashtë paraqitje me Kombëtaren U21 të Kosovës. Ai ka luajtur edhe për grupmoshat U16, U17 dhe U19 të Gjermanisë, si dhe për shpresat e Shqipërisë.
Kujtojmë se klubi nga Klina ka rikthyer Bujar Shabanin, që në sezonin e fundit ishte pjesë e Ferizajt, si dhe ka nënshkruar me Iran Junior, që ishte pjesë e Dritës.
Siç ka mësuar “Express”, te Dukagjini do të ketë ende ndryshime. Përveç këtyre futbollistëve, te skuadra dukagjinase do të ketë edhe përforcime tjera, por edhe largime.