Duka bëri diçka të çuditshme para ndeshjes me Serbinë
Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka zbuluar se u ka dërguar nga një letër lojtarëve dhe Gianni De Biasit para ndeshjes me Serbinë dhe Armeninë.

Sport
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka rrëfyer se përpara ndeshjes me Serbinë dhe Armeninë, i ka dërguar një letër trajnerit të Kombëtares Shqiptare, Gianni de Biasi ku i ka shprehur mbështetjen e tij, pavarësisht se çfarë rezultati do të merrte skuadra.
“Realisht pas humbjes me Portugalinë kur e gjithë skuadra dhe trajneri ndoshta mund të kishin një shok psikologjik iu kam dërguar një letër futbollistëve menjëherë pas ndeshjes, pasi u larguan për në skuadrat e tyre”, ka treguar Duka.
“Ju kam dërguar një letër motivuese për dy ndeshjet e ardhshme dhe gjithashtu i kam dërguar edhe një letër De Biasit, ku i kam thënë që ti nuk duhet të shqetësohesh për gjëra të tilla sepse ti do jesh trajneri i Shqipërisë si do që të ndodhë dhe si do që të shkojnë rezultatet tona. Kështu që nuk ka ndonjë gjë për të diskutuar. Përveç që është e kopsitur që ai është me kontratë deri në 2017-ën”, ka thënë Duka për Anadolu Agency.
Duka ka vlerësuar punën e bërë nga De Biasi në krye të Kombëtares shqiptare, që së bashku me lojtarët ka arritur suksesin historik për në Euro2016.
“Është menaxhimi i tij i mirë, drejtimi i tij i mirë, selektimi i tij i mirë që ka ndihmuar shumë në arritjen e këtij suksesi. Pastaj të gjitha bashkë, bashkimi i të gjitha gjërave bën atë të tërën për të shkuar në sukses. Kështu që në këtë këndvështrim ne jemi shumë të kënaqur nga marrëdhënia dhe bashkëpunimi deri më sot. Kemi shprehur vullnetin për ta vazhduar këtë marrëdhënie që kohë më parë”, ka thënë ai.
Duke tregon se pas ndeshjes me Armeninë dhe festës dy ditore, kanë menduar të përcaktojnë ndeshjet e ardhshme të nëntorit, miqësoret për t’i shërbyer ekipit dhe përgatitjeve për Kampionatin Europian “Francë 2016”. Objektiv i FSHF-së është që të zhvillohen dy ndeshje në nëntor, dhe sipas Dukës, një nga këto të luhet me Kosovën.
“Nuk e kemi përcaktuar datën fikse, sepse duhet që të kontaktojmë oponentët e tjerë dhe pastaj të përcaktojmë datën e miqësores, por gjithsesi ne do të bëjmë një ndeshje në nëntor në Prishtinë besoj, pasi mbetet për tu përcaktuar nga Federata e Kosovës. Realisht vizita e ekipit Kombëtarë në Kosovë nuk është thjeshtë sportive, por edhe festive më shumë. Qëllimi është që ekipi të vizitojë një pjesë të trojeve shqiptare dhe të festojmë bashkë”- deklaron kreu i FSHF-së.