Dugolli: Opozitës ia dhamë mundësinë, nuk propozuan emra për president dhe nuk janë të sinqertë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka thënë se nuk po bëjnë kalkulime për çështjen e presidentit dhe se nuk duan që vendi të shkojë në zgjedhje. Ai ka thënë se si parti kanë qenë të sinqertë me subjektet politike të cilave siç ka thënë ai, ua kanë dhënë mundësinë të propozojnë kandidat. “Ne po…

Lajme

07/04/2026 23:36

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka thënë se nuk po bëjnë kalkulime për çështjen e presidentit dhe se nuk duan që vendi të shkojë në zgjedhje.

Ai ka thënë se si parti kanë qenë të sinqertë me subjektet politike të cilave siç ka thënë ai, ua kanë dhënë mundësinë të propozojnë kandidat.

“Ne po tentojmë që të gjejmë zgjidhje për të kaluar në fazën tjetër, që mos të detyrohemi të shkojmë prapë në zgjedhje. Për këtë ne jemi shumë të sinqertë me komunikimet që kemi bërë me subjektet politike, dhe në një farë forme ua kemi ofruar mundësinë që ata të gjejnë një ose dy figura konsensual për të cilat do të bisedonim dhe do të merreshim vesh. Ata nuk kanë ofruar asnjëherë, asnjë emër”, ka thënë Dugolli në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Ai ka thënë se opozita duhet të jetë e sinqertë dhe të tregojë se nuk janë të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të fundit dhe jo sipas tij, të fshihen e të fajësojnë Vetëvendosjen.

“Nuk është e sinqertë, më mirë të thonë që nuk janë të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe po duam ta provojmë të shkojmë sërish në zgjedhje. Kjo është më e sinqertë, jo të fshihen prapa e të thonë se Lëvizja Vetëvendosje nuk po do, ne nuk duam zgjedhje”, ka thënë deputeti i LVV-së.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese 28 prilli është dita e fundit që Kuvendi duhet të votojë presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve.