“Drogat dhe terrorizmi”- Rubin tregon se si gazetari i njohur dezinformonte për UÇK-në, ngjashëm si punimi ku bashkautor është Basha
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e vetë udhëheqësit e krerët e saj ndër vite janë përballur me akuza të forta që iu janë bërë nga të tjerët, e dezinformata të cilat janë shpërndarë lehtësisht. Jo vetëm pas lufte, dezinformata të tilla del të jenë shpërndarë edhe gjatë viteve të luftës, kur po tentohej çlirimi i Kosovës…
Lajme
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e vetë udhëheqësit e krerët e saj ndër vite janë përballur me akuza të forta që iu janë bërë nga të tjerët, e dezinformata të cilat janë shpërndarë lehtësisht.
Jo vetëm pas lufte, dezinformata të tilla del të jenë shpërndarë edhe gjatë viteve të luftës, kur po tentohej çlirimi i Kosovës i cili u arrit me shumë vështirësi, shkruan lajmi.net.
Ish-zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka dëshmuar sot në Hagë si dëshmitar i mbrojtjes për rastin Thaçi dhe të tjerët.
Ai duke folur për pretendimet se komandantët e UÇK-së kishin nisur fushatë kundër rivalëve politik dhe që ajo drejtohej nga Azem Syla, Hashim Thaçi dhe Xhavit Haliti, tha se gazetari i New York Times, Kris Hedges, donte të njolloste udhëheqësit e popullit të Kosovës dhe UÇK-në.
Fillmisht, dëshmitarit iu prezantua edhe një artikull në të cilin pretendohej se komandantët e UÇK-së kanë nisur fushatë kundër rivalëve të tyre politik. Thuhej se kjo fushatë drejtohej nga Azem Syla, Hashim Thaçi dhe Xhavit Haliti.
Në këtë artikull të 25 qershorit 1999, James Rubin kishte thënë se nuk kanë informacion për të mbështetur pretendimet se ka ekzistuar një program i drejtuar nga udhëheqja e UÇK-së për vrasje dhe ekzekutime.
Rubin, kishte thënë se nuk e përjashton mundësinë që udhëheqës rebel të jenë të lidhur me vrasjet, por zyrtarët e Departamentit kishin shqyrtuar një gamë të gjerë burimesh dhe nuk kanë mundur të verifikojnë këto akuza.
“Po, kjo ka qenë një veçori e këtij gazetari Kris Hedges që ishte i keqinformuar nga burime serbe. Ne, kemi konstatuar në mënyrë të përsëritur se ky gazetar përsëriste thashetheme pa prova, por mbasi punonte për New York Times duhej të bënim hetime të thella për këto sepse kjo media ishte një organizatë informative lajmesh shumë e rëndësishme”, tha Rubin.
Ai tha se ky gazetar ishte larguar nga puna për shkak të gabimeve të përsëritura.
“Përpiqej në mënyrë të përsëritur të njolloste udhëheqësit e popullit të Kosovës përfshirë UÇK-së dhe unë i kërkoja komunitetit, inteligjencës që të më jepnin informacion që të më jepnin informacion. Nuk kemi marrë asnjëherë një konfirmim të këtyre komenteve shpifëse që bëheshin nga ai. Ai u hoq nga puna për gabime të përsëritura”, tha ai.
Jo në formën e njëjtë, por qëllimi duket të ketë qenë i njëjtë si i gazetarit, edhe i punuesve të punimit të publikuar të 2012 me titull “Globalizmi në Ballkanin Perëndimor: Krimi transnacional, islami fundamentalist dhe aleancat e padrejta”, ku mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
Në këtë punim, ku bashkëautor ishte Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha thuhej se “sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.
Aty thuhet se përveç se UÇK-ja është “financuar nga trafikantët e drogës”, mbështetja nuk përfshinte vetëm para.
“Por, trafikantët e drogës dërguan persona të armatosur për të luftuar së bashku me UÇK-në dhe blinin armë në emër të UÇK-së”.
“Teksa lidhja midis UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë për t’u matur, ekzistojnë raste gjyqësore të njohura nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Republika Çeke, të cilat sugjerojnë fuqishëm një lidhje midis trafikantëve të drogës dhe UÇK-së”, u tha në këtë punim.

Sipas punimit, në Belgjikë bosi i “të ashtuquajturës mafi shqiptare la fishekë para dyerve të anëtarëve të diasporës shqiptare si kujtesë se taksat ‘vullnetare’ që ata kishin paguar për mbështetjen e Qeverisë në hije dhe UÇK-në, në të vërtetë nuk ishin ‘vullnetare’”.
Punimi pretendon se mbijetesa e UÇK-së “varej nga financimi që ofronin banditët patriotë, që operonin përtej kufijve. Të ashtuquajturat taksa vullnetare u dërgoheshin organizatave humanitare sikurse Vendlindja Thërret”.
Në punim, lufta në Kosovë më 1998-99 vlerësohet si “konflikt etnik”, teksa aty pretendohet se agjencitë perëndimore të inteligjencës “shpesh mbyllën sytë ndaj bashkëpunimit mes krimit dhe politikës në Kosovë”.
“Që nga fillimi i viteve 1990, shumë ishin të vetëdijshëm për lidhjen midis UÇK-së dhe trafikantëve të drogës. Pas konfliktit, UÇK-ja vetë u shpërbë formalisht, megjithatë shumë ish-komandantë të UÇK-së u përfshin në politikë. Me politikën erdhi edhe krimi”, thuhet në këtë punim.
Në lidhje me këtë punim, u distancua vetë Dimal Basha, duke thënë se “distancohem nga të gjithë ata që kanë shkruar kundër kësaj vlere”.
“Dua të deklaroj me përgjegjësinë më të madhe qytetare dhe kombëtare që kurrë në jetën time nuk është shkruar dhe nuk do të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me vlerën e shenjtë të popullit tonë”, tha Basha.
Ai kishte thënë në Facebook se kontributi i tij në këtë punim ishte vetëm në Kapitullin 3, “i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën”.
Edhe bashkautorja e këtij punimi, Jana Arsovska, ka mbështetur pohimin e Bashës.
“Thënë shkurt, zoti Basha ka kontribuar vetëm në këtë kapitull, që hulumton përhapjen e islamit radikal në Evropën Juglindore, me fokus të veçantë në Kosovë”, ka thënë ajo për mediat në Kosovë.
Në lidhje me këtë publikim të Bashës, pati reagime të shumta si nga opozita ashtu edhe nga analistë politikë të cilët edhe kërkonin shkarkimin e Dimal Bashës./Lajmi.net/