Drejt 4 marsit pa emër për kreun e shtetit
Kanë mbetur edhe gjashtë ditë nga afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, megjithatë ende nuk ka as emra konkretë e as marrëveshje konkrete. Ditë më parë kryeministri Kurti deklaroi se po bën çdo përpjekje për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, që do të pasonin nga moszgjedhja e presidentit. Ajo që është…
Lajme
Kanë mbetur edhe gjashtë ditë nga afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, megjithatë ende nuk ka as emra konkretë e as marrëveshje konkrete. Ditë më parë kryeministri Kurti deklaroi se po bën çdo përpjekje për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, që do të pasonin nga moszgjedhja e presidentit. Ajo që është e qartë mbetet një emër konsensual, por pa emërtim të përvetshëm.
Mandati i presidentes Osmani skadon më 4 prill, ndërsa afati për zgjedhjen e presidentit të ri është 4 marsi; në të kundërtën, zgjedhjet e reja parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Teksa po ngushtohet afati për nisjen e procesit të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, takimet e ditëve të fundit mes kryetarëve të partive politike nuk kanë prodhuar asgjë konkrete, të paktën jo nga deklarimet publike që janë bërë.
Tash kur kanë mbetur edhe gjashtë ditë pune nga afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, përveç që nuk ka emra konkretë, në paqartësi mbesin edhe marrëveshjet eventuale konkrete. Pas mohimit të interesimit për këtë pozitë nga familja Jashari, që u lakua nga kryediplomati Konjufca si një konsensus automatik në shoqëri, partitë opozitare vazhdojnë të kërkojnë një emër me reputacion e integritet vendor e ndërkombëtar, që ka kontribute intelektuale dhe që i bën nder Kosovës dhe qytetarëve.
Kështu të paktën deklaroi shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Arian Tahiri, duke nënvizuar se janë të gatshëm të propozojnë një emër për president.
“Vazhdojmë të mbetemi brenda këtyre qëndrimeve në kuptim të asaj që të diskutohet në parim edhe në standard se kush do të duhej t’i plotësonte këto atribute për të qenë president i vendit”, pohoi ai.
Ndërkohë që PDK vazhdon të flasë përgjithshëm, LDK nënvizon se emri dhe zgjidhja për kreun e shtetit janë në dorën e partisë në pushtet.
Kujtim Shala, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se “i takon partisë fituese që të udhëheqë procesin”.
“Nuk e kemi diskutuar, nuk kam informacione”, tha Shala.
Vetëvendosje ende nuk ka qëndrim publik për këtë çështje.
E njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se pa një kompromis mes partive, vendi do të shkojë në zgjedhje, ndonëse ka ende kohë për një marrëveshje.
“Nuk është vonë edhe për të pasur marrëveshje politike; në marrëveshje politike ose duhet të hyjë në qeveri në këtë rast PDK, ose duhet t’i jepet e drejta PDK-së që të nominojë një kandidat dhe që të ketë të sigurt votat e deputetëve të LVV-së. Për këtë duhet ta kesh besimin se do të votohet, përndryshe në garë fiton kandidati i Vetëvendosjes”, tha Sadik Zeqiri, njohës i zhvillimeve politike.
Presidentja aktuale Vjosa Osmani, që kohë më parë e bëri të qartë se synon edhe një mandat në krye të shtetit, nuk i ka komentuar takimet e fundit mes liderëve partiakë dhe as nuk ka deklaruar nëse i ka mbledhur 30 nënshkrime për t’iu hyrë garës që më së voni duhet të nisë si proces më 4 mars./rtk/