Dogana sqaron rregullat për pajisjet elektronike që sjellin udhëtarët nga jashtë
Dogana e Kosovës ka njoftuar udhëtarët lidhur me rregullat për pajisjet elektronike që sillen nga jashtë vendit, duke sqaruar se ato vlerësohen në bazë të rregullave për bagazhin personal dhe importet jo-tregtare. Sipas Doganës, një pajisje e sjellë për përdorim personal nuk trajtohet njësoj me një sasi pajisjesh që, bazuar në natyrën, sasinë apo karakteristikat…
Lajme
Dogana e Kosovës ka njoftuar udhëtarët lidhur me rregullat për pajisjet elektronike që sillen nga jashtë vendit, duke sqaruar se ato vlerësohen në bazë të rregullave për bagazhin personal dhe importet jo-tregtare.
Sipas Doganës, një pajisje e sjellë për përdorim personal nuk trajtohet njësoj me një sasi pajisjesh që, bazuar në natyrën, sasinë apo karakteristikat e tyre, mund të tregojnë qëllim tregtar.
Për bagazhin personal, kufijtë e lirimit të përgjithshëm janë 300 euro për udhëtarët në trafik rrugor, 430 euro në trafik ajror dhe 300 euro në trafik hekurudhor. Për udhëtarët nën moshën 15-vjeçare, kufiri është 150 euro.
Dogana ka bërë të ditur se kur kushtet për lirimin nga detyrimet nuk plotësohen, ose kur mallrat janë të destinuara për qëllime tregtare, duhet të respektohen procedurat doganore dhe të paguhen detyrimet përkatëse.
Ky informim bazohet në Kodin Nr. 08/L-247 Doganor dhe të Akcizave, përkatësisht në nenet 392–394. /Lajmi.net/