“Dita e 9-të e bllokadës”, Ramadani: Investimet e huaja direkte janë bërë temë e harruar, Kosova po mbetet në stagnim
Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me situatën politike në vend, duke e cilësuar si “ditën e 9-të të bllokadës” së institucioneve. Përmes një postimi në Facebook, Ramadani ka kritikuar mungesën e stabilitetit institucional, duke thënë se kjo situatë po ndikon edhe në interesimin e investitorëve të huaj për Kosovën. “Derisa Kuvendi, përkatësisht…
Lajme
Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me situatën politike në vend, duke e cilësuar si “ditën e 9-të të bllokadës” së institucioneve.
Përmes një postimi në Facebook, Ramadani ka kritikuar mungesën e stabilitetit institucional, duke thënë se kjo situatë po ndikon edhe në interesimin e investitorëve të huaj për Kosovën.
“Derisa Kuvendi, përkatësisht Kosova është thelluar në bllokadën e re, investimet e huaja direkte janë temë e harruar”, ka shkruar Ramadani.
Sipas tij, mungesa e stabilitetit institucional e bën Kosovën më pak tërheqëse për investime të huaja.
“Askush nuk ka interesim të investojë në një vend që nuk ka stabilitet. Kompanitë e mëdha evropiane e botërore po hapin degët e tyre në rajonin tonë, por jo në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Ramadani ka pretenduar se vendet fqinje kanë avancuar ekonomikisht më shumë se Kosova, ndërsa vendi, sipas tij, ka mbetur në stagnim.
“Fqinjët na janë larguar tashmë disafish në nivelin e ekonomisë, vetëm ne kemi mbetur në stagnim, rrjedhimisht në dobësim”, ka shkruar ai.
Deputeti i AAK-së ka kritikuar edhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar se ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit dhe, rrjedhimisht, formimin e Qeverisë së re.
“Vetëvendosje ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit. Kështu ka bllokuar Qeverinë e re, për të cilën Kuvendi do të mbante kontrollin dhe kërkonte përgjegjësi e llogaridhënie për politikat e saj”, ka shkruar Ramadani. /Lajmi.net/