“Mbi pushtetin është Republika” – Tahiri: Askush nuk është mbi Kushtetutën, ligjin dhe institucionet, as Albin Kurti

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit rreth bllokimit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se institucionet e vendit nuk mund të trajtohen si pronë e një individi apo partie. “Sot nuk po flasim vetëm për një krizë politike. Sot po flasim për Republikën, për Kushtetutën dhe për…

Lajme

16/08/2026 11:20

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit rreth bllokimit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se institucionet e vendit nuk mund të trajtohen si pronë e një individi apo partie.

“Sot nuk po flasim vetëm për një krizë politike. Sot po flasim për Republikën, për Kushtetutën dhe për Kuvendin – për institucione që nuk i përkasin asnjë individi dhe asnjë partie politike”, deklaroi Tahiri, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se Kushtetuta duhet të jetë kufiri i pushtetit dhe se askush nuk mund të jetë mbi Republikën.

“Kushtetuta nuk është një dokument që respektohet vetëm atëherë kur i konvenon pushtetit. Kushtetuta është kufiri i pushtetit. Është garancia se institucionet nuk mund të shndërrohen në instrument të një individi dhe se askush nuk është mbi Republikën. As Albin Kurti”, tha Tahiri.

Sipas tij, pushteti nuk nënkupton pronësi mbi shtetin.

“Vota të jep mandat. Vota nuk të jep pronësi mbi shtetin. Pushteti në demokraci nuk është privilegj personal. Është përgjegjësi, është i kufizuar dhe është i përkohshëm. Mbi të qëndron Kushtetuta”, deklaroi ai.

Tahiri ka kritikuar gjithashtu situatën e krijuar rreth funksionimit të institucioneve.

“Nuk mund të jesh njëkohësisht pjesë qendrore e bllokadës dhe të paraqitesh si viktimë e saj. Nuk mund t’i bllokosh institucionet dhe pastaj të pyesësh pse institucionet nuk funksionojnë. Nuk mund ta mbash Republikën në pritje dhe pastaj ta quash këtë normalitet demokratik”, tha ai.

Ai ka theksuar se PDK-ja nuk kërkon privilegje politike, por funksionimin e institucioneve.

“Ne nuk kërkojmë privilegj. Nuk kërkojmë përjashtim. Nuk kërkojmë pushtet në tavolinë. Kërkojmë funksionimin e Republikës. Kërkojmë që Kuvendi ta ushtrojë rolin e tij dhe që institucionet të mos mbahen peng i kalkulimeve të një partie”, theksoi Tahiri.

Në fund, Tahiri ka deklaruar se Republika është mbi çdo individ dhe parti politike.

“Republika nuk fillon me Albin Kurtin dhe Republika nuk përfundon me Albin Kurtin. Qeveritë ndryshojnë, kryeministrat ndryshojnë, deputetët dhe shumicat ndryshojnë. Republika mbetet”, deklaroi ai.

“Mbi deputetin është ligji. Mbi kryeministrin është Kushtetuta. Mbi partinë është institucioni. Mbi pushtetin është Republika. Askush mbi Kushtetutën, askush mbi ligjin, askush mbi institucionet dhe askush mbi Republikën – as sot, as nesër, asnjëherë”, përfundoi Tahiri. /Lajmi.net/