Dialogu me Serbinë – Kërkohet të trajtohet me prioritet nga qeveria e re

Disponim pati por kushte jo. Pavarësisht gatishmërisë, Albin Kurti e Aleksandër Vuçiq, nuk u takuan në Bruksel. Se cila ishte pengesa për takimin mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb, e ka bërë të ditur vet Bashkimi Evropian. Nga BE, thanë se shkak për këtë, u bënë zgjedhjet e shpeshta në Kosovë Megjithatë njohës të…

Lajme

16/05/2026 23:34

Disponim pati por kushte jo.

Pavarësisht gatishmërisë, Albin Kurti e Aleksandër Vuçiq, nuk u takuan në Bruksel.

Se cila ishte pengesa për takimin mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb, e ka bërë të ditur vet Bashkimi Evropian.

Nga BE, thanë se shkak për këtë, u bënë zgjedhjet e shpeshta në Kosovë

Megjithatë njohës të fushës së diplomacisë, theksojnë se vazhdimi i dialogut duhet të jetë prioritet për qeverinë e re, pavarësisht se kush do të jetë në krye të saj.

“Duhet me u përmbyll sa më shpejt që është e mundur dhe të bëhet prioritet. Nuk mundet më askush me i ik përgjegjësisë politike, e gjithë klasa politike apo partitë politike kanë qenë të përfshira në dialog, prandaj duhet vetëm finalizimi, tha njohësi i politikës, Fitim Mulolli për tëvë1.

E vonesat eventuale në këtë proces, konsiderohet se po e lënë mbrapa Kosovën në shumë çështje.

“Sa më shumë që po zgjatet dialogu Kosova po merr marrëveshje më të këqija, dhe sa më shumë që zgjatet dialogu, Serbisë i jepet argumenti me fol që çështja e Kosovës është çështje e pambyllur, se Kosova është nuk është sovrane dhe nuk është shtet i plot, dhe për këtë arsye po dialogohet, prandaj përmbyllja e dialogut është në interes të Kosovës”.

Njëjtë me Mulollin, mendon edhe njohësi i politikës së jashtme, Elbasan Osmani.

“Shumë procese të tjera varën nga ky dialog, normalisht dhe anëtarësimi në BE është i pamundur pa përfundimin e këtij procesi, pa arritjen e një marrëveshje përfundimtare e cila arrihet nga ky dialog”, tha Osmani.

Ndërkohë takimi i fundit i nivelit të lartë në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiq, ishte 10 ditë para sulmit terrorist në Banjskë, konkretisht me 14 shtator 2023.