Deklarata të shkruara nga të mbijetuarit e luftës, japin emra të ushtarëve serbë (Foto)

Tri deklarata të shkruara i kanë mbijetuar kohës nga viti 1999, fal një personi. Naser Selmani, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, iu kishte marrë deklarata me shkrim atyre që kanë mbijetuar pas luftës. Këtë e ka bërë me qëllim që t’i dokumentoj krimet serbe me aq sa dinë fshatarët. Selmani këto deklarata nuk i ka publikuar asnjëherë më parë dhe në to tregohen emra të pjesëtarëve të forcave serbe, njëri toger e tjetri oficer.

Lajme

26/01/2016 11:03

Më datën 05.04.1999 në fshatin Sllubic (Lugishta) që gjendet në juglindje të Gjilanit, tre fshatar për fat të mirë, shpëtuan pas kapjes së tyre nga forcat serbe. Rrëfimi i profesor Ramadan Sadriut, nis duke treguar se si prindërit e tij nuk pranuan ta lëshojnë shtëpinë, transmeton lajmi.net

Sadriu i kishte dërguar fëmijët e vet në fshatin Bilinicë. Pasi niset për t’u kthyer në fshatin Sllubicë, për t’i marrë prindërit, takohet me Rexhep Selmanin dhe Baftjar Xheladinin.

Që të tre vendosin që të ecin rrugës e jo të shmangen nëpër mal. Por nuk shkojnë larg e kapen nga forcat serbe. “Në atë moment një ushtar thirri në emër ‘komandant Shutle, t’i vras apo ç’të bëjë’”, shkruan Sadriu, në deklaratën e tij teksa tregon se ky komandant po i merrte në pyetje prindërit e tij.

Shutle ju kërkon ushtarëve që t’i sjellin këta të tre afër tij. Në këtë moment Sadriu e identifikon atë dhe në deklaratë e cilëson në gradën toger. Ai i gënjen se nuk ka kryer shkollë dhe se merret me bujqësi. Shtëpinë e tij nuk ua tregon pasi në të thotë se kishte simbole kombëtare.

“Rexhepi dhe Baftjari po malltretoheshin. Unë ua dhashë çelësat e veturës Yugo 45 dhe  Shutle më tha ‘ty po të lirojmë ndërsa dy të tjerët po i marrim me vet për të na treguar rrugën për në Preshevë”, shprehet Sadriu në deklaratën e tij, transmeton lajmi.net

Ai thotë se nuk ka pranuar të largohet pa dy bashkëfshatarët e tij, pasi kishte menduar se serbët në fakt kishin ardhur nga fshati Muqibabë dhe nuk u duhej ndihmë për t’ua treguar rrugën.

Në këtë moment sipas rrëfimit të tre burrave, njëri nga oficerët e pyet Xheladinin nëse po e njeh. “I thash se po të njoh diku por nuk po më kujtohet saktë. Ai më pyeti nëse kam qenë ushtar në Jugosllavi dhe ma kujtoi se ai kishte qenë oficeri im në JNA”, shkruan Xheladini, duke e identifikuar këtë person me emrin Ivica nga Prokuple.

Ai shton se Ivica i ka shpëtuar nga vrasja por u ka thënë që do të kthehet pas dy dite në këto fshatra dhe do t’i vrasin të gjithë. Sipas tri deklaratave, këta ushtar serb pasi u larguan me shumë plaçkitje atë ditë, u kthyen më 7 prill të vitit 1999 dhe i dogjën të gjitha shtëpitë e fshatit.

Fotoja më sipër është e të vrarëve në fshatin Llovcë. Sipas dëshmitarëve të njëjtët ushtar të përmendur në deklarata, kanë ardhë së bashku deri në fshatin Kokaj dhe janë ndarë në dy grupe. Njëri grup ka vazhduar për në Llovcë ku kanë ndodhur këto vrasje dhe Pogragjë e deri në Gjilan. /lajmi.net

deklarat 3

deklaratta 1