Dalin detaje të reja – zbulohet shkaku i vdekjes së legjendës Hulk Hogan

Bëhet publik shkaku zyrtar i vdekjes së legjendës së WWE, Hulk Hogan. Sipas dokumenteve të siguruara nga Pinellas County Forensic Science Center, 71-vjeçari humbi jetën si pasojë e një infarkti akut të miokardit, një formë e rëndë e atakut të zemrës. Hogan u transportua me urgjencë në spital më 24 korrik, pas një arresti kardiak…

ShowBiz

31/07/2025 20:39

Bëhet publik shkaku zyrtar i vdekjes së legjendës së WWE, Hulk Hogan.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Pinellas County Forensic Science Center, 71-vjeçari humbi jetën si pasojë e një infarkti akut të miokardit, një formë e rëndë e atakut të zemrës.

Hogan u transportua me urgjencë në spital më 24 korrik, pas një arresti kardiak në banesën e tij luksoze në Clearwater të Floridës, me vlerë 11.5 milionë dollarë. Fatkeqësisht, mjekët nuk arritën ta shpëtonin.

Hetimi mjeko-ligjor zbuloi se Hogan vuante prej kohësh nga fibrilacioni atrial, një çrregullim i ritmit të zemrës që rrit rrezikun për arrest kardiak.

Po ashtu, ai kishte një histori me leuçeminë kronike limfatike (CLL) – një lloj kanceri i gjakut që prek qelizat e bardha, të cilën ai nuk e kishte bërë publike më parë.

Burime të afërta me familjen kanë bërë të ditur se trupi i Hulk Hogan do të kremohet, ndërsa ende nuk janë dhënë detaje për ndonjë ceremoni publike varrimi.

Hogan kishte kaluar një ndërhyrje kirurgjikale në qafë në muajin maj, ndërsa në qershor u raportua se kishte pësuar komplikacione të rënda, duke përfshirë edhe humbje ndjesie në këmbë dhe nevojë për të ecur me shkop. Megjithatë, gruaja e tij, Sky Hogan, kishte mohuar se gjendja ishte aq kritike, duke siguruar ndjekësit se “zemra e tij ishte e fortë”.

Pas vdekjes, Sky publikoi një deklaratë prekëse, ku shprehu dhimbjen e thellë për humbjen, por edhe qetësinë shpirtërore që burri i saj kishte qenë një besimtar i fortë në Krishtin.

“Kisha shumë besim në forcën e tij. Mendoja se do ia dilte. Mendova se kishim më shumë kohë,” shkroi ajo. “E di që shpirti i tij është në paqe. Ai u mirëprit në shtëpinë e Zotit.”

Edhe vajza e tij e larguar, Brooke Hogan, u shpreh me dhimbje të thellë, duke konfirmuar se ndonëse kishin qenë të larguar vitet e fundit, lidhja mes tyre “kurrë nuk ishte thyer”.

“Kur ai u largua nga kjo botë, ndjeva sikur një pjesë e shpirtit tim iku me të. E ndjeva para se të merrnim lajmin,” shkroi Brooke në një mesazh emocional.

Ajo zbuloi se kishte emëruar vajzën e saj me mbiemrin e babait në nder të tij dhe se do të kujtonte gjithmonë dashurinë e pastër e të heshtur që kishin ndarë.

Hulk Hogan, emri i vërtetë i të cilit ishte Terry Bollea, mbetet një nga figurat më të mëdha dhe më të dashura në historinë e wrestling-ut. Trashëgimia e tij do të jetojë përmes kujtimeve, historive të ringut dhe dashurisë së miliona fansave në mbarë botën.