“Coachella e Ballkanit”: Si e vendosi Sunny Hill Festival Kosovën në hartën globale të turizmit
Me vizitorë nga afro 60 shtete dhe me Prishtinën pothuajse të rezervuar plotësisht, Sunny Hill Festival po shndërrohet në një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore dhe turistike në Evropën Juglindore. Edicioni i sivjetmë, që mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht, do të kryesohet nga Katy Perry, ndërsa organizatorët vlerësojnë se festivali tashmë…
ShowBiz
Me vizitorë nga afro 60 shtete dhe me Prishtinën pothuajse të rezervuar plotësisht, Sunny Hill Festival po shndërrohet në një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore dhe turistike në Evropën Juglindore. Edicioni i sivjetmë, që mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht, do të kryesohet nga Katy Perry, ndërsa organizatorët vlerësojnë se festivali tashmë është një motor i fuqishëm për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në skenën e Sunny Hill këtë vit do të ngjiten edhe Martin Garrix, Lewis Capaldi, Adam Port & Rampa, Seth Troxler, PAWSA, Carlita, Blanco, Dhurata Dora, Ledri Vula, MC Kresha, Manifest, EsDeeKid, GJIN dhe shumë emra të tjerë ndërkombëtarë, rajonalë e vendorë.
I themeluar në vitin 2018 nga Dukagjin “Dugi” Lipa, festivali promovohet ndërkombëtarisht nga fituesja e trefishtë e çmimit Grammy, Dua Lipa. Në edicionet e kaluara kanë performuar artistë si Miley Cyrus, Calvin Harris, J Balvin, Shawn Mendes, Stormzy, Burna Boy, Bebe Rexha, DJ Snake, Black Coffee, Peggy Gou, Anyma dhe Hardwell.
“Sunny Hill ka qenë gjithmonë më shumë se muzikë. Për disa ditë çdo verë, ne e sjellim botën në Kosovë dhe i gjithë vendi e ndien këtë. Vëmendja që festivali i sjell Kosovës është një ekspozim që asnjë fushatë turistike nuk do të mund ta blinte. Vlera që krijohet mbetet këtu – në ekonominë e vizitorëve, në sektorin kulturor dhe në mundësitë që hapen për të rinjtë”, ka deklaruar themeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa.
Krahasohet me Coachellan
Mediat ndërkombëtare e kanë krahasuar Sunny Hill me festivalin legjendar Coachella, duke vlerësuar se ai po bën për Kosovën atë që Coachella bëri për një qytet të vogël në shkretëtirën e Kalifornisë.
Përgjatë tri ditëve dhe katër skenave, festivali pret mbi 100 mijë vizitorë, duke e pozicionuar Prishtinën si një destinacion evropian tërheqës, të përballueshëm dhe mikpritës.
Sunny Hill është nominuar disa herë në European Festival Awards, ku është renditur përkrah festivaleve prestigjioze si Primavera Sound, Rock Werchter dhe Pohoda.
Deri në 50 milionë euro ndikim ekonomik
Sipas të dhënave të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, edicioni i vitit 2025 gjeneroi rreth 22 milionë euro ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik, ndërsa sipas organizatorëve ndikimi total arrin deri në 50 milionë euro, duke përfshirë shpenzimet e vizitorëve dhe diasporës në akomodim, transport, gastronomi dhe sektorë të tjerë.
Gjatë festivalit të vitit të kaluar, hotelet në Prishtinë ishin të mbushura në nivelin 99–100%, ndërsa në pjesën tjetër të Kosovës zënia e kapaciteteve hoteliere arriti rreth 96%.
Festivali që po ndryshon imazhin e Kosovës
Organizatorët theksojnë se misioni i Sunny Hill nuk kufizohet vetëm te muzika, por synon ta prezantojë Kosovën si një vend modern, kreativ dhe të sigurt për vizitorët ndërkombëtarë.
Sipas tyre, festivali është bërë një instrument i rëndësishëm i diplomacisë kulturore, duke tërhequr artistë që më parë nuk e kishin përfshirë Kosovën në turnetë e tyre.
Në vitin 2025, presidentja Vjosa Osmani i dha shtetësinë e Kosovës Dua Lipës pikërisht në skenën e festivalit, një moment që u raportua nga media prestigjioze si BBC, The New York Times, The Guardian, Rolling Stone, Billboard, Vogue, NME, MTV Europe, Elle, Fox News dhe dhjetëra media të tjera.
Sipas organizatorëve, çdo edicion i Sunny Hill gjeneron mijëra artikuj në mbi 6 mijë media në mbarë botën dhe miliarda shikime në platformat mediatike e rrjetet sociale.
Investim edhe për të ardhmen
Sunny Hill Festival funksionon në mbështetje të Sunny Hill Foundation, e cila financon projekte në art, kulturë dhe arsim, përfshirë bursa STEM për vajza dhe programe që lidhin artistët e rinj kosovarë me profesionistë ndërkombëtarë.
Po ashtu, organizatorët kanë paralajmëruar një investim prej 7 milionë eurosh për transformimin e zonës së festivalit në një park publik, si trashëgimi afatgjatë për qytetarët e Kosovës.
Biletat Believer dhe Early Bird për tri ditët e festivalit tashmë janë shitur, ndërsa biletat Regular dhe VIP vazhdojnë të jenë në dispozicion. Festivali është i hapur për personat mbi 16 vjeç.