Holanda nuk kthehet në Eurovision 2027, kundërshton mungesën e neutralitetit të garës

Holanda nuk do të marrë pjesë në Eurovision Song Contest 2027, pasi transmetuesi publik holandez Avrotros ka njoftuar tërheqjen nga gara, duke thënë se konkursi nuk mund të konsiderohet më neutral për sa kohë një shtet pjesëmarrës është i përfshirë në një konflikt të gjerë ushtarak. Vendimi u bë i ditur të hënën dhe lidhet,…

ShowBiz

25/08/2026 16:06

Holanda nuk do të marrë pjesë në Eurovision Song Contest 2027, pasi transmetuesi publik holandez Avrotros ka njoftuar tërheqjen nga gara, duke thënë se konkursi nuk mund të konsiderohet më neutral për sa kohë një shtet pjesëmarrës është i përfshirë në një konflikt të gjerë ushtarak.

Vendimi u bë i ditur të hënën dhe lidhet, sipas Avrotros, me mungesën e qartësisë nga organizatori, European Broadcasting Union (EBU), për mënyrën sesi vlerësohet pjesëmarrja e shteteve në Eurovision, transmeton Zeri.info.

“Vuajtjet e rënda humanitare në Gazë dhe kufizimet e vazhdueshme ndaj lirisë së shtypit kanë kontribuuar në rritjen e ndarjeve rreth Eurovision Song Contest në vitet e fundit”, thuhet në deklaratën e transmetuesit holandez.

Avrotrosi ka kritikuar edhe ndryshimet e fundit në rregullat e Eurovisionit, të miratuara nga EBU-ja. Sipas rregullave të reja, nëse një shtet i përfshirë në një konflikt të armatosur fiton Eurovisionin, ai nuk do të mund ta organizojë konkursin në vitin pasues.

Megjithatë, Avrotrosi thotë se këto ndryshime “nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme se karakteri i pavarur dhe neutral i Eurovision Song Contest është rikthyer”.

Holanda mund të jetë sërish në Eurovision

Tërheqja e Avrotrosit nuk nënkupton domosdoshmërisht se Holanda do të mungojë në Eurovision 2027.

Sipas BBC-së, një tjetër transmetues publik holandez mund të marrë përsipër pjesëmarrjen, pasi Holanda ka disa transmetues publikë.

Martin Green, drejtori i Eurovisionit, ka thënë se EBU-ja e respekton vendimin e Avrotrosit.

“Do të vazhdojmë dialogun me NPO, organizatën ombrellë të mediave publike holandeze, lidhur me mundësinë që një transmetues tjetër të marrë pjesë”, ka deklaruar Greeni, transmeton Zeri.info.

Ai ka shprehur shpresën që publiku dhe artistët holandezë të vazhdojnë të jenë të përfaqësuar në Eurovision.

“Eurovisioni është bërë platformë për përçarje”

Drejtori i përgjithshëm i Avrotrosit, Taco Zimmerman, ka thënë se Eurovisioni ishte krijuar fillimisht për të bashkuar njerëzit dhe shtetet, por tani është shndërruar në “një platformë për përçarje”.

“Është e pamohueshme se konfliktet ndërkombëtare po ndikojnë gjithnjë e më shumë në garë, duke dëmtuar karakterin e saj neutral”, ka deklaruar Zimmermani.

Ai ka shtuar se, si transmetues publik, Avrotrosi mbetet i përkushtuar ndaj vlerave të veta, edhe kur kjo nënkupton largimin nga një ngjarje që, sipas tij, është shumë e rëndësishme për transmetuesin.

Edhe NPO ka shprehur keqardhje për vendimin, por ka thënë se e respekton atë.

“Ne gjithashtu e pranojmë se tensionet gjeopolitike po shkaktojnë përçarje”, thuhet në reagimin e NPO-së.

Holanda bojkotoi edhe Eurovision 2026

Avrotrosi ishte tërhequr edhe nga Eurovision 2026 në Vjenë, ndërsa Holanda e kishte bojkotuar ngjarjen pasi Izraelit iu lejua të merrte pjesë.

Në nëntor të vitit të kaluar, pesë transmetues publikë njoftuan bojkotin e Eurovisionit, mes tyre edhe transmetuesit e Spanjës, Irlandës dhe Holandës, pas dështimit të përpjekjeve për suspendimin e Izraelit.

Pavarësisht protestave, përfaqësuesi i Izraelit, Noam Bettan, përfundoi në vendin e dytë me këngën “Michelle”.

Ndryshimet e fundit të rregullave të Eurovisionit parashikojnë gjithashtu se një shtet fitues nuk mund të organizojë garën nëse një “situatë e ndjeshme gjeopolitike” ndikon në sigurinë, mbrojtjen ose stabilitetin e shtetit ose rajonit përreth.

Rregulli nuk prek vetëm Izraelin. Ai do të mund të zbatohej edhe ndaj Ukrainës, e cila është në luftë me Rusinë që prej pushtimit të vitit 2022. Ukraina e fitoi Eurovisionin në vitin 2022 me grupin Kalush Orchestra, në një fitore që u konsiderua edhe si shprehje e mbështetjes publike për vendin. /Zëri