Çmimet në prag të festave të fundvitit, qytetarët ankohen
Në Kosovë, festat e fundvitit nuk janë vetëm periudhë gëzimi dhe atmosfere festive, por shpesh shndërrohen edhe në barrë financiare për shumë familje. Qytetarët ankohen se në prag të festave, çmimet e produkteve janë rritur dukshëm, duke i bërë shpenzimet e fundvitit më të vështira për t`u përballuar, shkruan RTK. Festat e fundvitit sjellin atmosferë…
Lajme
Në Kosovë, festat e fundvitit nuk janë vetëm periudhë gëzimi dhe atmosfere festive, por shpesh shndërrohen edhe në barrë financiare për shumë familje.
Qytetarët ankohen se në prag të festave, çmimet e produkteve janë rritur dukshëm, duke i bërë shpenzimet e fundvitit më të vështira për t`u përballuar, shkruan RTK.
Festat e fundvitit sjellin atmosferë festive, por për shumë familje kjo periudhë shoqërohet edhe me sfida financiare. Ndërsa përgatitjet për festat shtohen, qytetarët vërejnë rritje të dukshme të çmimeve të shumë produkteve, duke e bërë këtë sezon më të rëndë për buxhetin familjar.
“Sigurisht që në çdo festë rriten çmimet. Gjithkund në botë ka ulje, por te ne shpesh shtrenjtohen. Ishalla mblidhen mend e rregullohen”, thotë një qytetar.
“Më keq nuk ka ku shkon, po vërehen shumë. S’ka më lirë, veç nëse gjen diçka të prishur”, shton një tjetër.
Qytetarët kërkojnë stabilizim të çmimeve, sidomos të produkteve bazike.
“Janë rrit pak, por ndoshta edhe kushtet ekonomike nuk janë shumë të mira. Varet edhe nga importi, se kemi pak prodhim vendor. Thirrja ime është që çmimet të jenë më stabile, sidomos ato elementare”, shton një qytetar tjetër.
Nga ana tjetër, tregtarët shumica prej tyre prapa kamerave e arsyetojnë rritjen e çmimeve me rritjen e kërkesës dhe kostot e furnizimit. Disa pranojnë se këtë vit çmimet janë më të larta se vitin e kaluar, por mohojnë që në prag të festave të ketë keqpërdorim apo rritje të qëllimshme të çmimeve.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 5,3% në muajin nëntor 2025, krahasuar me muajin nëntor 2024. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë, ndër to edhe atyre bazike sikurse qumështi, djathi dhe vezët me 10,5%.