Cana do të luajë kundër Serbisë
Ekzaminimet e para kanë treguar se shqetësimi në kaviljen e këmbës së majtë të kapitenit nuk është i një shkalle të rëndë që ta pengojë atë të jetë në fushën e lojës për ndeshjen me Serbinë.

Sport
Lorik Cana do të jetë në ndeshjen me Serbinë.
Diçka e tillë është konfirmuar për “Panorama Sport” nga burime të sigurta pranë Federatës Shqiptare të Futbollit që kanë bërë me dije se kapiteni nuk pritet që të ketë probleme për ndeshjen e 8 tetorit. Sipas burimeve në fjalë, ekzaminimet e para kanë treguar se shqetësimi në kaviljen e këmbës së majtë të kapitenit nuk është i një shkalle të rëndë që ta pengojë atë të jetë në fushën e lojës për ndeshjen me Serbinë.
Mediat franceze, edhe ato pranë klubit të Nantës, nuk kanë nxjerrë ende një raport zyrtar të shkallës së dëmtimit të mbrojtësit, që u detyrua të linte fushën e lojës në ndeshjen Lilë-Nantë, për shkak të një lëndimi të pë- suar në kaviljen e këmbës së majtë, pas një ndërhyrjeje nga sulmuesi i skuadrës vendëse.
Duke qenë se jemi vetëm pak ditë përpara zhvillimit të ndeshjes me Serbinë dhe gjithashtu atë të fundit kualifikuese ndaj Armenisë, atëherë lajmi për gatishmërinë e kapitenit është një informacion që e mban të qetë trajnerin De Biazi dhe të gjithë tifozët e Kombëtares përpara këtyre dy sfidave. I sigurt është fakti se Cana do të jetë pushim për ndeshjen e fundjavës që Nantë do të luajë kundër Nicës.
E gjithë kjo për të mos rrezikuar gjendjen e tij. Në këtë mënyrë, kapiteni i kuqezinjve do të jetë i gatshëm për t’iu bashkuar kuqezinjve në grumbullim për dy ndeshjet e radhës.
Do të jenë seancat e para me Kombëtaren, në javën e ardhshme, ato që do të tregojnë edhe gjendjen e kaviljes së mbrojtësit kuqezi. Trajneri De Biazi dhe stafi mjekësor i Kombëtares do të verifikojnë mundësitë që ka kapiteni për të qenë në fush- ën e lojës për ndeshjen që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”.
Megjithatë, duke kujtuar që me Lacion Cana është aktivizuar edhe me probleme në vertebër, nuk është çudi që kapiteni të “shtrëngojë dhëmbët” për të qenë me çdo kusht në fushën e lojës në ndeshjen me Serbinë.