Caktohet trupi gjykues i Apelit për çështjen e ish-krerëve të UÇK-së, këta janë tre gjyqtarët
Tre gjyqtarë janë caktuar si trup gjykues i Apelit për çështjen që lidhet me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Bëhet fjalë për gjyqtarët Michele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, të cilët janë caktuar më 22 shtator nga presidentja e Dhomave të Specializuara, gjyqtarja Ekaterina Trendafilova.…
Lajme
Tre gjyqtarë janë caktuar si trup gjykues i Apelit për çështjen që lidhet me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Bëhet fjalë për gjyqtarët Michele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, të cilët janë caktuar më 22 shtator nga presidentja e Dhomave të Specializuara, gjyqtarja Ekaterina Trendafilova.
Sipas përgjigjes së Dhomave të Specializuara të Kosovës, trupi gjykues do të vendosë lidhur me kërkesën e ekipeve të mbrojtjes për zgjatjen e afatit për paraqitjen e njoftimit për apel, si dhe për parashtresat e palëve që lidhen me një njoftim për apel kundër aktgjykimit të gjykimit në këtë çështje.
“Më 22 shtator, Presidentja e Dhomave të Specializuara, gjyqtarja Ekaterina Trendafilova, caktoi një Trup Gjykues të Apelit për të vendosur lidhur me kërkesën e ekipeve të mbrojtjes për zgjatjen e afatit për paraqitjen e njoftimit për apel, si dhe për të gjitha parashtresat e cilësdo palë që lidhen me një njoftim për apel kundër Aktgjykimit të Gjykimit në këtë çështje”, thuhet në përgjigje.
Në vendimin për caktimin e trupit gjykues, Trendafilova ka marrë në konsideratë kriteret e përcaktuara në Rregullën 4 të Rregullores për Caktimin e Gjyqtarëve, përfshirë përvojën dhe ekspertizën përkatëse, si dhe disponueshmërinë e gjyqtarëve në këtë kohë.
Trupi gjykues i Apelit përbëhet nga gjyqtarët Michele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. /Lajmi.net/


