Cakolli paralajmëron: Nëse kriza mbetet e hapur dhe shkojmë drejt zgjedhjeve, rrezikojmë tensione e përplasje qytetare
Menaxheri i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka paralajmëruar se situata e krijuar në vend mund të përshkallëzohet nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë politike. Cakolli ka bërë thirrje që dhuna të ndalet menjëherë, por njëkohësisht ka kërkuar që kërkesat e qytetarëve që prej ditësh po protestojnë të marrin përgjigje…
Lajme
Menaxheri i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka paralajmëruar se situata e krijuar në vend mund të përshkallëzohet nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë politike.
Cakolli ka bërë thirrje që dhuna të ndalet menjëherë, por njëkohësisht ka kërkuar që kërkesat e qytetarëve që prej ditësh po protestojnë të marrin përgjigje institucionale.
“A jemi duke e ditë ku mundet me na çu kjo situatë, nëse lihet kështu? Dhuna duhet me marrë fund menjëherë. Por edhe kërkesat që i kanë mbajtur qytetarët në rrugë prej ditësh, e sidomos sot, kërkojnë përgjigje dhe veprim të menjëhershëm politik”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, përgjegjësia më e madhe për krijimin e një hapësire për zgjidhje bie mbi pushtetin, për shkak të numrave dhe mjeteve institucionale që ka në dispozicion.
“Normalisht, për shkak të numrave dhe mjeteve institucionale, barra më e madhe bie mbi pushtetin, që ka edhe mundësinë më të madhe me kriju hapësirë për një zgjidhje”, ka deklaruar ai.
Cakolli ka paralajmëruar se nëse kriza politike mbetet e hapur dhe vendi shkon drejt zgjedhjeve, përplasjet mund të ashpërsohen edhe më tej.
“Nëse kjo krizë mbetet e hapur dhe kështu shkojmë drejt zgjedhjeve, ato veçse kanë me e ashpërsu përplasjen. Madje, me këtë shkallë polarizimi, rrezikojmë që krejt procesi zgjedhor me u përcjellë me tensione, incidente e deri në përplasje qytetare”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka shtuar se edhe pas zgjedhjeve problemi politik mund të mbetet i njëjtë, por zgjidhja e tij mund të bëhet edhe më e vështirë.
“E edhe pas tyre, problemi politik do të jetë i njëjtë, veçse edhe më vështirë i zgjidhshëm”, ka thënë Cakolli.
Në fund, Cakolli ka bërë thirrje për reflektim të menjëhershëm, duke paralajmëruar se vonesat mund ta përkeqësojnë situatën.
“Prandaj, është koha e fundit që me reflektu. Pasnesër mund të jetë shumë vonë”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/