Cakolli në rast se Kosova shkon në zgjedhje: Afatet ligjore për emërimin e anëtarëve të rinj KQZ-së po bëhen shumë të ngushta
Në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) po kërkohet që institucionet të sigurohen që përgatitjet për zgjedhje të mundshme të mos vihen në pikëpyetje. Eugen Cakolli nga KDI ka theksuar se pavarësisht nëse do të ketë zgjidhje politike apo vendi do të shkojë…
Lajme
Në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) po kërkohet që institucionet të sigurohen që përgatitjet për zgjedhje të mundshme të mos vihen në pikëpyetje.
Eugen Cakolli nga KDI ka theksuar se pavarësisht nëse do të ketë zgjidhje politike apo vendi do të shkojë në zgjedhje të reja, duhet të ketë qartësi për funksionimin e institucioneve që i organizojnë ato.
“Në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri, ndonëse mbetet e paqartë nëse do të ketë zgjidhje apo vendi do të shkojë në zgjedhje të reja, institucionet duhet të sigurohen që të paktën përgatitja për zgjedhje të mos vihet në pikëpyetje”, ka shkruar ai.
Sipas Cakollit, kjo nënkupton para së gjithash qartësi për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Kjo nënkupton para së gjithash qartësi për përbërjen e KQZ-së, që është e lidhur me ciklin zgjedhor dhe duhet të reflektojë rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare”, ka theksuar ai.
Ai ka rikujtuar se pas certifikimit të rezultateve më 9 shkurt, ligji përcakton një procedurë deri në 42 ditë për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së sipas përbërjes së re të Kuvendit. Sipas tij, Presidentja ka pasur 30 ditë afat – që skadon më 11 mars – për t’u kërkuar partive parlamentare nominimet, ndërsa partitë kanë një javë për dorëzimin e emrave dhe më pas emërimi bëhet brenda pesë ditëve.
Megjithatë, ai ka paralajmëruar për një problem të mundshëm nëse vendi shkon në zgjedhje të reja.
“Grupet parlamentare me të drejtë propozimi ekzistojnë vetëm për sa kohë që Kuvendi ka mandat dhe nuk shpallen zgjedhjet e reja”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, me skenarin e zgjedhjeve që po bëhet gjithnjë e më i mundshëm, afati ligjor për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së bëhet shumë i ngushtë.
Ai gjithashtu ka theksuar se ligji aktual nuk parasheh vazhdimin automatik të mandatit të përbërjes ekzistuese të KQZ-së deri në emërimin e së resë.
“Në një moment kur zgjedhjet e reja mund të bëhen të pashmangshme, nisja dhe përmbyllja e kësaj procedure brenda afateve ligjore është thelbësore për të shmangur çdo vakum institucional në administrimin e zgjedhjeve”, ka theksuar ai.
Cakolli ka shtuar se institucioni që organizon zgjedhjet duhet të jetë jo vetëm funksional dhe me mandat, por edhe i pakontestueshëm, në mënyrë që gjatë procesit zgjedhor të mos hapen debate për legjitimitetin e tij./lajmi.net/