Bytyqi për mosakreditim të tri universiteteve publike: Është vendim i KSHC-së

Pas vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mosakreditimin e tri Universiteteve Publike të Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës, ka reaguar edhe Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi.

Lajme

15/07/2019 19:10

Bytyqi gjatë një konference për media ka thënë se Ministria e Arsimit nuk ka marrë asnjë shkresë lidhur me këtë vendim të Këshillit.

Ai ka njoftuar se për mos akreditimin e tri universiteteve publike në Mitrovicë, Pejë dhe Prizren, ka vendosur Këshillit Shtetëror i Cilësisë, e jo MASHT-i.

Gjatë konferencës ai përmendi se ka pranuar një shkresë lidhur me përbërjen e këtij këshilli nga Agjencia Antikorrupsion.

“Siç e dini për vendimet e fundit që këshilli i cilësisë ka marrë e pamë të arsyeshme të iu njoftojmë këto nuk janë vendime të MASHT pasi këshilli shtetëror i cilësisë merr vendime sipas ligjit në fuqi. Ne kemi pas një shkresë që na ka njoftua Agjencioni kundër korrupsion ku thuhet se ka shkelje ligjore në përbërjen aktuale të këshillit të cilësisë dhe ne kemi kërkuar nga ta që të zgjidhen këto çështje. Kjo është në kundërshtim me vendimin që e ka marrë këshilli shtetëror i cilësisë”, deklaroi Bytyqi.

Në fund ai tha se duhet të pritet 22 korriku për të sqaruar shkresën e AKK-së.

“Në përbërjen e këshillit për akreditim ka pas dyshime se ka pas shkelje ose konflikt interesi, deri sa Agjencia Kundër Korrupsion të merr vendimin nëse ka pas shkelje apo jo, Këshilli nuk është dashur me dale me vendime për mosakreditimet e universiteteve. Deri më datën 22 korrik, kështu ka qenë edhe dakordimi i MASHT-it me Këshillin. Këshilli ka dal me vendim sot, gjë qe e ka shkel edhe vendimin e MASHT-it po edhe Agjencisë”, tha Bytyqi. /Lajmi.net/