Buxheti për vitin 2027: 224 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes, 122 milionë për investime kapitale
Nga mbi 224 milionë euro të parapara për Ministrinë e Mbrojtjes në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, mbi 122 milionë euro mbeten të destinuara për investime kapitale. Në fokus edhe më tej mbeten modernizimi, pajisjet dhe avancimi i kapaciteteve të Forcës së Sigurisë. Rritja e buxhetit për mbrojtje shihet si domosdoshmëri për të përmbyllur transformimin…
Lajme
Nga mbi 224 milionë euro të parapara për Ministrinë e Mbrojtjes në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, mbi 122 milionë euro mbeten të destinuara për investime kapitale. Në fokus edhe më tej mbeten modernizimi, pajisjet dhe avancimi i kapaciteteve të Forcës së Sigurisë. Rritja e buxhetit për mbrojtje shihet si domosdoshmëri për të përmbyllur transformimin e FSK-së në një forcë moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me standardet e NATO-s.
Qeveria e Kosovës ka miratuar të hënën projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh.
Buxheti parasheh mbi 1.4 miliard euro për subvencione dhe transfere, më shumë se një miliard euro për paga dhe shtesa, si dhe mbi një miliard euro për investime kapitale.
Një nga ndarjet e rëndësishme është edhe ajo për Ministrinë e Mbrojtjes, në kuadër të së cilës përfshihet edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
Për këtë ministri, për vitin që po hyjmë janë paraparë 224 milionë e 168 mijë e 705 euro, me synim mbështetjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe zhvillimin e mëtejmë të FSK-së. Prej tyre, 122.4 milionë euro janë paraparë për investime kapitale dhe 58.7 milionë për paga dhe shtesa.
Kjo ndarje buxhetore synon të mbështesë modernizimin, pajisjen dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së, duke i dhënë shtysë procesit të transformimit të saj në një forcë të aftë për përmbushjen e mandatit të plotë kushtetues dhe ligjor.
Për njohësit e çështjeve të sigurisë, buxheti për ushtrinë nuk është asnjëherë i mjaftueshëm, duke pasur parasysh nevojat e vazhdueshme për pajisje dhe armatim modern. Megjithatë, sipas tyre, investimet e deritanishme po e orientojnë FSK-në drejt modernizimit dhe fuqizimit të kapaciteteve ushtarake.
“Çështjet e pajisjeve me armatim të ri çdo here shkon në vlerësim të nevojave çfarë kërkohen standarde apo luftimet çfarë sjellin ndryshimet edhe koncepteve luftarake, sidomos ka të bëjë me sistemin raketrore dron mbrojtja kundërajrore sistemi i luftës antiblind e deri tek mbrojtja nga lufta kibernetike, mendoj që FSK po i mbushë kapacitete e pritura…”, thotë Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.
Profesorë të gjeopolitikës dhe të sigurisë thonë se tashmë Kosova po dëshmon përkushtimin për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse, duke përmbushur zotimet e përcaktuara nga NATO për ndarjen e buxhetit në mbrojtje.
“Janë mbi 2 për qind të BPV po natyrisht që Kosova ka një situatë më komplekse sepse Kosova është duke i ngritur kapacitetet e saja prej fillimit dhe unë konsiderojë edhe më tej jo për të ndërtuar një barrë të re për buxhetin e Kosovës por për të përmbyllur transformimin rrënjësor të Forcës së saj të sigurisë sepse po bëjmë ushtri nga fillimi dhe po bëhet ushtria komfor standardeve të NATO-s…”, thotë Dorajet Imeri, profesor i gjeopolitikës dhe çështjeve të sigurisë.
Ekspertët vlerësojnë se rritja e buxhetit për mbrojtje shihet si domosdoshmëri për të përmbyllur transformimin e FSK-së në një forcë moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me standardet e NATO-s.