Busquets: Dua të bëhem trajner në të ardhmen – shpresoj të rikthehet Messi, por ka kontratë me PSG
Sergio Busquets ka dhënë një intervistë të gjatë për ‘RAC1’ ku ka folur për shumë gjëra, përfshirë planet për të ardhmen dhe situatën e Lionel Messi.
Sport
Mesfushori i Barcelonës, Busquets ndër vite ka qenë pika kyçe e skuadrës katalane, pavarësisht trajnerëve të shumtë që ishin në krye të stolit ‘Blaugrana’ gjatë karrierës së tij.
Gjithë punën e tij me këta trajnerë, spanjolli duket se e ka shfrytëzuar mirë. Ai tani planifikon që të bëhet trajner në të ardhmen dhe thotë se shumë shpejtë do ta ketë licencën e tij.
“Unë dua që në të ardhmen, kur të pensionohem, të bëhem trajner”, ka thënë Busquets, transmeton lajmi.net. “Unë do ta kem licencën shumë shpejt. Do të provoj më të mirën. Kisha shumë trajnerë të mirë në karrierën time”, shtoi spanjolli.
Tutje, lojtari foli edhe për një rikthim të mundshëm të Lionel Messi, duke u shprehur pesimist.
“Unë do të doja që Leo Messi të kthehej te Barcelona, por do të jetë e vështirë pasi ai ka kontratë me Paris Saint Germain”, tha Busquets.
Kurse, një mesazh pati edhe për dy të rinjtë, Gavi e Ronald Araujo. “Kush largohet nga Barcelona, do të bëhet pishman.”
Busquets po bën një rol kyç dhe po tregohet lider në fushë që nga rikthimi i Xavi Hernandez. Lojtari ka rigjetur forcat për një “sprint të fundit” që duket se përfundon me Kupën e Botës. /Lajmi.net/