Britania e Madhe kundërshton ndryshimet në Ligjin për Specialen: Mund të dëmtohen marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë

Britania e Madhe ka shprehur shqetësim lidhur me synimin e Kuvendit të Kosovës për të votuar sërish ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar për pasoja të mundshme në raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Në një reagim të Ambasadës Britanike në Prishtinë, thuhet se amendamentet e propozuara nuk do t’i…

Lajme

12/11/2026 18:54

Britania e Madhe ka shprehur shqetësim lidhur me synimin e Kuvendit të Kosovës për të votuar sërish ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar për pasoja të mundshme në raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

Në një reagim të Ambasadës Britanike në Prishtinë, thuhet se amendamentet e propozuara nuk do t’i shërbenin interesave kryesore të vendit, por përkundrazi mund të dëmtonin marrëdhëniet me shtetet që e kanë mbështetur Kosovën, transmeton lajmi.net.

“Kemi frikë se amendamentet e propozuara nuk do të bëjnë asgjë për t’i shërbyer interesave thelbësore të Kosovës dhe do të minojnë marrëdhëniet e saj me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Autoritetet britanike kanë theksuar se janë të vetëdijshme për reagimet dhe shqetësimet e krijuara në Kosovë pas aktgjykimeve të fundit të Dhomave të Specializuara, megjithatë kanë nënvizuar rëndësinë e respektimit të obligimeve ndërkombëtare.

Sipas Ambasadës Britanike, interesat e Kosovës mbrohen më së miri përmes vazhdimit të përkushtimit ndaj llogaridhënies, drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

“Ne besojmë se qëllimet e Kosovës mund të shërbehen më së miri duke siguruar që Kosova të vazhdojë të mbajë angazhimet ndërkombëtare dhe përkushtimin e saj për llogaridhënie, drejtësi dhe sundim të ligjit”, thuhet më tej në reagim.

Në fund, Britania e Madhe i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të mos nxitojë me miratimin e ndryshimeve, por të zhvillojë konsultime të mëtejshme me Bashkimin Evropian dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje më të përshtatshme./lajmi.net/