Ambasada e Italisë e shqetësuar për votimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen: Konsultimet paraprake nuk janë zhvilluar

Ambasada e Italisë në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me mundësinë që Kuvendi i Kosovës të votojë nesër ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Në një reagim publik, ambasada italiane ka vlerësuar se amendamentet e propozuara ngrenë shqetësime serioze sa i përket përmbushjes së zotimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimit të parimeve themelore të…

Lajme

12/11/2026 18:30

Ambasada e Italisë në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me mundësinë që Kuvendi i Kosovës të votojë nesër ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Në një reagim publik, ambasada italiane ka vlerësuar se amendamentet e propozuara ngrenë shqetësime serioze sa i përket përmbushjes së zotimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimit të parimeve themelore të sundimit të ligjit, transmeton lajmi.net.

Sipas ambasadës, çështjet që ngjallin shqetësim kanë të bëjnë me pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale, si dhe sigurimin e llogaridhënies efektive. Po ashtu, është vënë në pikëpyetje edhe kushtetutshmëria e ndryshimeve të propozuara.

Ambasada ka bërë të ditur se, që nga kthimi i ligjit në Kuvend për rishqyrtim, ka qenë në komunikim me autoritetet kosovare për t’i përcjellë shqetësimet dhe pritshmëritë e saj.

Megjithatë, ajo ka shprehur keqardhje që konsultimet paraprake me autoritetet përkatëse ende nuk janë zhvilluar, duke theksuar se ato janë të domosdoshme para miratimit të çfarëdo ndryshimi.

Në fund të reagimit, Ambasada e Italisë ka vlerësuar se ligji në formën aktuale nuk do t’u shërbejë as interesave të Kosovës dhe as interesave të individëve që së fundmi janë dënuar nga Dhomat e Specializuara.

Postimi i plotë:

Ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me votimin e mundshëm që pritet të mbahet nesër për ligjin që ndryshon dhe plotëson Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze lidhur me përmbushjen e zotimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive. Këto ndryshime gjithashtu ngrenë pikëpyetje lidhur me kushtetutshmërinë e tyre.

Që nga kthimi i ligjit në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim, ne kemi qenë aktivë në përcjelljen e shqetësimeve dhe pritshmërive tona tek autoritetet e Kosovës.

Kjo përfshin edhe nevojën për konsultime paraprake para miratimit të çfarëdo ndryshimi, në përputhje me zotimet ndërkombëtare të Kosovës.

Na vjen keq që këto konsultime ende nuk janë zhvilluar. Ligji në formën aktuale nuk do t’u shërbejë as interesave të Kosovës dhe as interesave të individëve që së fundmi janë dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./lajmi.net/