Breivik përfundon shkollën e mesme në burg, synon edhe studimet

Para 4 vite vrau 77 persona, tash kreu shkollën e mesme në burg.

Bota

23/06/2015 17:07

Andreas Behring Breivik është emri i personit që në mënyrë të tmerrshme vrau 77 persona në Norvegji 4 vjet më parë. Ai më pas ishte dënuar, dhe aktualisht është duke vuajtur dënimin e tij me 21 vjet burg. Si nxënës jo i rregullt ai përfundoi shkollën e mesme dhe tani dëshiron të studiojë shkencat politike.

Breivik, i cili katër vjet më parë në mënyrë brutale vrau 77 persona dhe plagosi 242 të tjerë, ka konkurruar për tu regjistruar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Oslos. Avokati i tij Oystein Storrvik tha se Universiteti rreth kërkesës së Breivik do të deklarohet më 20 korrik.

Vrasësi famëkeq Breivik edhe dy vjet më parë ishte përpjekur që të regjistrohet në fakultetin e njëjtë, por kërkesa e tij ishte refuzuar, ndër të tjera edhe për shkak të mos përfundimit të shkollës së mesme. Ai në ndërkohë si nxënës i çrregullt ka përfunduar shkollën e tregtisë të cilën e kishte ndërprerë në vitin 1998.

Ndërsa lajmi i keq për Breivikun ka ardhur nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike në Oslo, Dag Harald Claes i cili tha se edhe po të pranohet, ai nuk do të mund t’i përfundojë studimet sepse më shumë se gjysma e lëndëve kërkon prezencë gjatë ligjëratave dhe prezantimin në seminare dhe detyra të ndryshme.

Po ashtu edhe rektori i Universitetit të Oslos, Ole Petter Ottersen tha se Breivik gjatë vuajtjes së dënimit nuk do të mund të hyjë në kampusin universitarë apo të takohet me personelin universitar dhe studentët.

Breivik më 22 korrik 2011 hapi zjarr në kampin veror të të rinjve në ishullin e Utoya, ku vrau 69 persona, ndërsa para saj në afërsi të ndërtesës së qeverisë në Oslo kishte kryer sulm me bombë, duke vrarë tetë persona. Në këto sulme u plagosën 242 persona. Për këtë ai u dënua me dënim maksimal me burg prej 21 vitesh.