Betohet Veriu

Seancat inauguruese në Veri u mbajtën pak para mesnatës. Kryetarët e Komunave të Veriut, perveç Krstimir Pantic, u betuan, pa Simbolet Shtetërore të Kosovës. Por, pat një \"truk\" me logot, të cilat me gjasë u ngjitën me etiketa prapa deklaratave të betimit.

Lajme

11/01/2014 21:10

(E Plotësuar: 00:20)

Pas konsultimeve të bëra gjatë tërë ditës, të zgjedhurit për Kryetarë të Komunave dhe Këshilltarë të Asambleve Komunale të pjesës veriore të Kosovës, pak para mesnatës, kanë nënshkruar deklaratat e betimit, të cilat, siç raporton Radio Televizioni i Serbisë, kanë qenë në përputhje me Ligjin e Kosovës për Vetëqeverisje Lokale dhe Marrëveshjen e Brukselit.

Por, sipas Tanjug, Asambleistët dhe Kryetarët e Komunave i kanë nënshkruar deklaratat e betimit në ambientet ku nuk ka pasur simbole shtetërore, njësoj siç nuk ka pasur as në dokumentet e deklaratave të betimit.

Ceremonia e nëshkrimit është mbajtur në katër Komunat e Veriut: Mitrovicën e Veriut, Zvecan, Zubin Potok dhe Leposavic, me dyer të mbyllura.

Siç raportohet, Kryetari i Mitrovicës Veriore, Krstimir Pantic, nuk e ka nënshkruar deklaratën solemne, njëjtë siç nuk e kanë nënshkruar as disa prej Asambleistëve të Mitrovicës Veriore.

Njëri ndër asambleistët që sonte ka nëshkruar deklaratën solemne në Zvecan, Nebojsa Vlajic, i ka thënë Tanjugut se ai dhe kolegët e tij asambleistë, së bashku me Kryetarin e Komunës, Vucina Jankovic, janë betuar dhe kësisoj zyrtarisht kanë marrë detyrën.

“Prej sonte mund të konsiderojmë se janë konstituuar organet e Komunës së Zvecanit.”

Në pyetjen nëse në deklaratat të cilat i kanë nënshkruar ka pasur simbole shtetërore të Kosovës, Vlajic ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë simbolesh, por në pjesën e epërme të deklaratës ka qenë e ngjitur një etiketë, përfundi së cilës ka qenë e pamundur të shihet se çfarë përmban aty.

“Ajo etiketë ka qenë shumë e fortë. Unë jam përpjekur që ta heq, por kjo ka qenë e pamundur pa e shqyer fletën. Unë konsideroj se kjo deklaratë ka qenë neutrale ndaj statusit”.

Sipas Tanjug, asambleistët shqiptarë në Komunën e Mitrovicës Veriore kanë pasur deklarata në të cilat kanë qenë simbolet shtetërore të Kosovës.

I tërë procesi i nënshkrimit të deklaratave të betimit është vëzhguar nga Përfaqësues të Bashkimit Europian në Kosovë, OSBE’së dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, të cilët do ta vlerësojnë nëse kjo gjë është bërë në përputhje me rregullat ligjore.

________________

(E Plotësuar: 23:00)

Mediat serbe raportojnë se seancat konstituive në Komunat e Veriut, të planifikuara për orën 22:00, ende nuk janë mbajtur.

Sipas B92, shumica e këshilltarëve të zgjedhur komunalë, përfshirë edhe ata nga partitë shqiptare, janë mbledhur para ndërtesës së Komunës, mirëpo aty nuk ka shkuar edhe Krstimir Pantic.

________________

 

Paralajmërohet betimi në Veri

Kryetarët e Katër Komunave në Veri të Kosovës, siç raportohet, pritet ta bëjnë sonte betimin e tyre.

Seancat konstituive janë paralajmëruar të fillojnë në orën 22:00, ka deklaruar Oliver Ivanovic për FoNet.

Siç kanë raportuar mediat serbe, gjatë mbrëmjes, Shefi i BE’së në Kosovë, Samuel Zbogar, ka mbajtur takime me Kryetarët e zgjedhur të Komunave në Veri, me të cilët ka diskutuar për mundësinë e konstituimit.