“Besoj që i plotësoj kushtet” – Arben Gashi e konifrmon se ka ambicie që të jetë kryetar i LDK-së vitin e ardhshëm
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka konfirmuar se synon të jetë pjesë e garës për kryetar të kësaj partie, duke shtuar edhe një emër në listën e figurave që kanë shprehur ambicie për ta marrë drejtimin e LDK-së. I ftuar në emisionin “Politiko”, Gashi ka deklaruar se beson se i plotëson…
Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka konfirmuar se synon të jetë pjesë e garës për kryetar të kësaj partie, duke shtuar edhe një emër në listën e figurave që kanë shprehur ambicie për ta marrë drejtimin e LDK-së.
I ftuar në emisionin “Politiko”, Gashi ka deklaruar se beson se i plotëson kushtet për të garuar, duke përmendur përvojën politike, profilin dhe programin që mund t’i ofrojë partisë, transmeton lajmi.net.
“Besoj që i plotësoj formalitetet dhe kushtet që i pata: ambicien, profilin e programin. Meqenëse s’jemi ende në atë fazë, por jemi në politikë për një kohë të konsiderueshme dhe kam kontributin tim, mendoj se ka ardhur koha t’i shoh mundësitë se si bashkërisht ta bëjmë LDK-në dhe Kosovën më të mirë. Mund ta thuash me zë të qartë dhe të lartë”, ka deklaruar Gashi.
Deklarimi i tij vjen në kohën kur brenda LDK-së kanë nisur të artikulohen hapur ambiciet për udhëheqjen e partisë, ndonëse procesi i ardhshëm zgjedhor pritet të zhvillohet gjatë vitit 2027.
Një nga emrat që tashmë e ka konfirmuar kandidaturën është kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Më 22 tetor, ai deklaroi se do të garojë për kreun e LDK-së, duke vlerësuar se rezultatet e tij në kryeqytet janë dëshmi e aftësisë për ta udhëhequr partinë.
Rama në të njëjtën kohë i bëri thirrje kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, që të japë dorëheqje. Megjithatë, ai në vazhdimësi ka deklaruar se nuk është anëtar i LDK-së, çështje që mund të ngrejë pikëpyetje lidhur me kushtet e kandidimit të tij.
Edhe deputetja Hykmete Bajrami ka shprehur gatishmërinë për të garuar për kryetare të LDK-së. Në një paraqitje në emisionin “Rubikon”, ajo deklaroi se nëse procesi zhvillohet përmes një gare të drejtë dhe të hapur, do të jetë njëra prej kandidateve.
“Në qoftë se nuk ka ndryshime pozitive, në situatën në të cilën jemi, nëse ka garë fer dhe të hapur unë do të jem njëra prej kandidateve”, kishte deklaruar Bajrami.
Ndërkohë, deputeti Avdullah Hoti ka përmendur edhe emrin e Kujtim Shalës si një figurë që, sipas tij, do t’i bënte nder LDK-së në krye të partisë. Hoti ka vlerësuar se Shala, Bajrami dhe Rama janë emra që mund të kontribuojnë në drejtimin e ardhshëm të partisë, por kjo nuk nënkupton se Shala e ka shpallur kandidaturën e tij.
Në anën tjetër, kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të qartë se nuk planifikon të japë dorëheqje para përfundimit të mandatit.
Në një intervistë të dhënë në tetor, ai ka deklaruar se mandati i tij katërvjeçar përfundon më 19 nëntor 2027 dhe se procesi i ardhshëm zgjedhor në parti pritet të nisë në shtator e të përfundojë në nëntor të vitit të ardhshëm.
“Sa e pata një Kuvend, për besë. Ma rikonfirmuan. Zërat nuk ndalën asnjëherë”, kishte deklaruar Abdixhiku, duke iu referuar mbështetjes që kishte marrë brenda partisë.
Abdixhiku ishte rikonfirmuar në krye të LDK-së edhe më 30 korrik 2026, kur i mbijetoi nismës për shkarkimin e tij në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë. Në atë proces, 170 delegatë votuan kundër shkarkimit, ndërsa 152 votuan për largimin e tij.
Kështu, përveç Abdixhikut, i cili synon ta përfundojë mandatin dhe të mbetet në drejtimin e partisë, disa figura të LDK-së kanë nisur të shprehin hapur interesimin për garën e ardhshme, e cila pritet të jetë një nga proceset më të rëndësishme politike brenda kësaj partie./lajmi.net/