Pas supermarketeve, edhe një bankë franceze ‘bie viktimë’ e një sulmi kibernetik – vidhen më shumë se 118 milionë euro

Banka franceze Credit Mutuel Arkea është bërë cak i një sulmi kibernetik, përmes të cilit janë realizuar transaksione të dyshimta financiare, ndërsa mediat franceze raportojnë se vlera e fondeve të përfshira mund të arrijë në 133 milionë dollarë. Institucioni financiar, me seli në rajonin e Bretanjës në Francën perëndimore, ka konfirmuar se ka zbuluar ndërhyrjen…

Bota

04/11/2026 13:33

Banka franceze Credit Mutuel Arkea është bërë cak i një sulmi kibernetik, përmes të cilit janë realizuar transaksione të dyshimta financiare, ndërsa mediat franceze raportojnë se vlera e fondeve të përfshira mund të arrijë në 133 milionë dollarë.

Institucioni financiar, me seli në rajonin e Bretanjës në Francën perëndimore, ka konfirmuar se ka zbuluar ndërhyrjen dhe se ekipet e tij kanë arritur ta vënë situatën nën kontroll.

Për të parandaluar dëme të mëtejshme, banka ka vendosur të ndërpresë përkohësisht disa operacione financiare.

“Vendimin për të pezulluar përkohësisht disa transaksione, me qëllim garantimin e sigurisë së operacioneve dhe parandalimin e çdo lëvizjeje të re mashtruese”, thuhet në deklaratën e drejtuesve të bankës.

Sipas gazetës franceze “Le Télégramme”, shuma e dyshuar e përfshirë në këtë rast është 133 milionë dollarë, apo rreth 118 milionë euro. Megjithatë, vetë banka nuk e ka konfirmuar këtë vlerë, duke bërë të ditur se një pjesë e fondeve janë bllokuar dhe se dëmi i mundshëm ende po vlerësohet.

Rastin e bëri publik fillimisht ZachXBT, një hetues i pavarur që merret me gjurmimin e transaksioneve në kriptovaluta. Sipas tij, paratë e dyshuara si të vjedhura janë transferuar përmes një numri të madh llogarish në platforma të këmbimit të kriptovalutave.

Banka nuk ka dhënë hollësi për mënyrën se si është realizuar sulmi dhe as për personat apo grupet që mund të qëndrojnë prapa tij. Ajo ka siguruar se klientët nuk do të pësojnë humbje financiare, ndërsa transaksionet e pezulluara pritet të rikthehen pas përfundimit të kontrolleve të sigurisë.

Sulmet kibernetike po përhapen në disa vende evropiane

Ky incident vjen në një kohë kur disa shtete evropiane po përballen me sulme ndaj sistemeve teknologjike që kontrollojnë pajisjet e ftohjes në markete.

Raste të tilla janë raportuar në Belgjikë dhe Luksemburg, ku frigoriferët dhe ngrirësit në dhjetëra dyqane janë prekur nga ndërhyrjet. Edhe në Suedi janë evidentuar probleme të ngjashme me rritjen e temperaturave në disa supermarkete, ndërsa njëri prej tyre e ka cilësuar rastin si sulm kibernetik.

Ndërkaq, në Francë ishte raportuar më herët për një ndërhyrje në sistemet e ftohjes së qindra supermarketeve. Si pasojë, temperaturat në disa pajisje kishin arritur deri në 50 gradë Celsius, duke shkaktuar zjarre dhe dëme në produktet ushqimore.

Zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime për cenueshmërinë e sistemeve digjitale dhe rrezikun që sulmet kibernetike mund të paraqesin jo vetëm për institucionet financiare, por edhe për sigurinë ushqimore dhe shërbimet jetike.