Bekim Sejdiu tërhiqet nga gara për president: Nuk sigurova mbështetjen e nevojshme parlamentare

Bekim Sejdiu ka njoftuar tërheqjen nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës, duke thënë se vendimi erdhi për shkak të mungesës së mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përplasjeve politike rreth procesit. Sejdiu ka bërë të ditur se para dy javësh ishte kontaktuar nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët e kishin…

Lajme

14/09/2026 18:48

Bekim Sejdiu ka njoftuar tërheqjen nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës, duke thënë se vendimi erdhi për shkak të mungesës së mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përplasjeve politike rreth procesit.

Sejdiu ka bërë të ditur se para dy javësh ishte kontaktuar nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët e kishin ftuar në një takim me delegacionet e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tij, në takim ishte bërë e ditur se të dyja partitë kishin arritur pajtueshmëri që ai të propozohej si kandidat jopartiak për president.

Ai ka thënë se e kishte pranuar kandidaturën duke pasur parasysh krizën institucionale dhe nevojën për zhbllokimin e situatës politike.

Megjithatë, sipas tij, procesi nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si President dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Sejdiu.

Ai ka bërë të ditur se për vendimin i kishte njoftuar paraprakisht përfaqësuesit e LDK-së dhe LVV-së, ndërsa ka falënderuar të gjithë ata që e kishin mbështetur kandidaturën e tij.

Sejdiu ka theksuar se nuk ka pasur ambicie për pozita publike përtej angazhimeve akademike dhe profesionale, duke thënë se motivi për pranimin e kandidaturës ishte përpjekja për të kontribuar në zhbllokimin e krizës institucionale.

Në fund, ai u ka bërë thirrje partive politike që të gjejnë një zgjidhje për krizën dhe të shmangin thellimin e polarizimit.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë”, ka shkruar Sejdiu. /Lajmi.net/