Bekim Jashari: Krahasimi i veprimeve të Kosovës në veri me regjimin e Millosheviqit është i turpshëm – Serbia e do këtë: të na shohë të përçarë

Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar ashpër ndaj disa deklaratave publike të individëve dhe politikanëve të vendit, të cilët, sipas tij, kanë përbuzur veprimet legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial në veri të vendit. Në një postim në facebook, Jashari ka vlerësuar se krahasimi i veprimeve…

Lajme

24/12/2025 22:31

Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar ashpër ndaj disa deklaratave publike të individëve dhe politikanëve të vendit, të cilët, sipas tij, kanë përbuzur veprimet legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial në veri të vendit.

Në një postim në facebook, Jashari ka vlerësuar se krahasimi i veprimeve shtetërore të Kosovës me krimet e regjimit të Sllobodan Millosheviqit është i turpshëm dhe i papranueshëm, duke e cilësuar këtë si fyerje të rëndë ndaj sakrificës së popullit shqiptar, raporton lajmi.net

“Si mund të krahasohet sundimi dhe shtypja e përgjakshme e Serbisë ndaj shqiptarëve me veprimet e një shteti sovran që po shuan struktura paralele ilegale, po vendos rend dhe ligj dhe po garanton funksionimin e institucioneve në gjithë territorin e Kosovës?”, ka shkruar Jashari.

Postimi i plotë:

Është e turpshme dhe e papranueshme se si disa individë e politikanë të vendit, e akoma më keq disa të tjerë që thirren si “shokë” të Kryekomandantit Adem Jashari, bëjnë deklarata që nga njëra anë përbuzin veprimet legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial në veri, ndërsa nga ana tjetër i krahasojnë këto veprime shtetërore me krimet e regjimit gjenocidal të Millosheviqit.
Kjo nuk është as padije, as lapsus politik por fyerje e rëndë ndaj sakrificës së popullit shqiptar. Si mund të krahasohet sundimi dhe shtypja e përgjakshme e Serbisë ndaj shqiptarëve me veprimet e shtetit tonë sovran, i cili po shuan struktura paralele ilegale, po vendos rend dhe ligj dhe po garanton funksionimin e institucioneve në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës?
Këto deklarata i shërbejnë drejtpërdrejt narrativës së Serbisë. Sepse Serbia dëshiron pikërisht këtë: të na shohë të përçarë, të papërgjegjshëm, të zhytur në konflikte të kota dhe larg interesave vitale të shtetit të Kosovës.
Populli na njeh mirë. Ai nuk ka harruar të bëmat e secilit prej nesh: kush kemi qenë, çfarë kemi bërë dhe si jemi sjellë ndër vite, sidomos në momentet më të vështira për vendin. Historia nuk fshihet me deklarata ditore dhe as nuk rishkruhet për interesa politike.
Prandaj, bëjmë thirrje për unitet, maturi dhe përgjegjësi kombëtare. Politika duhet të jetë mjet bashkimi rreth interesave strategjike të Kosovës, e jo instrument për përçarje, relativizim të krimeve serbe dhe përfitime të ngushta partiake.
Kosova ka nevojë për lidership të përgjegjshëm, me dinjitet kombëtar, që i shërben shtetit dhe atdheut, jo egos personale dhe kalkulimeve politike afatshkurtra./Lajmi.net/