Behrami: Verdikti i Hagës nuk duhet të normalizohet, 81 vjet burg për krerët e UÇK-së dënojnë qëllimin për liri

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami ka bërë thirrje edhe një herë që Projektligji për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të procedohet në Kuvend. Behrami ndër të tjera bëri të ditur se aktgjykimi i Hagës  ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk duhet të normalizohet. Ai po ashtu theksoi se ky verdikt dënoi me 81 vjet…

Lajme

30/09/2026 13:06

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami ka bërë thirrje edhe një herë që Projektligji për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të procedohet në Kuvend.

Behrami ndër të tjera bëri të ditur se aktgjykimi i Hagës  ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk duhet të normalizohet.

Ai po ashtu theksoi se ky verdikt dënoi me 81 vjet burgim qëllimin për liri dhe pavarësi të Kosovës.

“Ne sot ishim bashkë me kolegen tim, Sala Jashari në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, dhe aty në mënyrë demonstrative lëshuam këtë mbledhje pas konstituimit të komisionit, sepse institucionet e Kosovës, Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës, Kuvendi i Kosovës edhe pse flamuri i Kosovës dhe i UÇK-së është në gjysmështizë, këtu po stimulohet normaliteti, dhe ne nuk do të lejojmë që të stimulohet normalitet në një rrethanë të jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës. Ky shtet, kjo qeveri duhet të tregojë më shumë empati për UÇK-në, më shumë ndjeshmëri për sakrificën e brezave dhe mbi të gjitha më shumë përgjegjësi institucionale për një verdikt antihistorik, një verdikt që e dënon jo vetëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, jo vetëm që i konstaton dhe i quan ndërmarrje e përbashkët kriminale, por krimi më i madh është se trupi gjykues i Gjykatës Speciale e dënon me 81 vjet burg qëllimin tonë për liri dhe pavarësi të Kosovës”, tha Behrami në Klan Kosova.

Ndër të tjera, Behrami deklaroi se, sipas tij, shteti i Kosovës deri më sot s’ka bërë asgjë drejt vënies së drejtësisë kundër vendimit dënues ndaj çlirimtarëve.