Bëhen dy milionë refugjatë sirianë
Si pasojë e luftës civile, një e treta e popullsisë siriane është zhvendosur nga shtëpitë. Gjysma e popullsisë ka nevojë për ndihma humanitare.
Bota
Përderisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre janë duke u përpjekur për një kurs të veprimit për të dënuar përdorimin e armëve kimike në Siri, Kombet e Bashkuara kanë thënë se numri i civilëve të cilët kanë ikur në shtetet fqinje ka kaluar shifrën e dy milionëve- një moment i ri historik që po quhet “tragjedia më e madhe e këtij shekulli, një fatkeqësi e turpshme humanitare”.
Frika nga sulmet ajrore të perëndimit në këto javë të fundit ishte një faktor për këtë shpëngulje që po vazhdon me një vrull të madh, duke shkaktuar trazira akute sociale dhe tension në vendet pritëse, u shpreh një një intervistë në Gjenevë të hënën, Komisioneri i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
U deshën dy vite konflikt në Siri që numri i refugjatëve të kapte shifrën e një milionëshit, por vetëm dhe gjashtë muaj të tjerë për të arritur në dy milonë, theksoi z.Guterres. Përveç kësaj, së paku 4.5 milionë persona janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre në Siri për shkak të dhunës dhe shkatërrimit, që do të thotë se afër një e treta e popullsisë është zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës civile, dhe se gjysma e popullsisë ka nevojë për ndihmë humanitare, tha z.Guterres, duke e vendosur krizën e Sirisë në një nivel të paparë në këto dekadat e fundit.
Afro 40 mijë sirianë janë shpërngulur në Irak vetëm dy javët e fundit të muajit gusht, dhe 13 mijë të tjerë kanë arritur në Liban në këto javët e fundit. Mbi të gjitha, afër 5 mijë sirianë largohen nga vendi i tyre çdo ditë.
“Kjo tregon qartë se ne jemi dëshmitarë të një konflikti me përshkallëzim të vazhdueshëm”, tha Guterres. “Ne duhet të jemi të gatshëm për gjërat që mund të përkeqësohen çdo ditë, përpara se të fillojnë të përmirësohen”.
Deri në fund të gushtit, në Liban ishin më shumë se 716 mijë refugjatë sirianë të regjistuar në OKB dhe shumë të tjerë të paregjistruar, tha Guterres, që do të thotë se një nga katër personat në këtë shtet është sirian. Rreth 515 mijë sirianë ishin të regjistuar në Kombet e Bashkuara në Jordani, 460 mijë në Turqi, 168 mijë në Irak dhe 110 mijë në Egjipt, dhe shumë të tjerë që ka të ngjarë të jenë të paregjistruar.
“Këto shtete kanë nevojë për një mbështetje të fuqishme nga komuniteti ndërkombëtar, në mënyrë që të mund t’i bëjnë ballë kësaj sfide, tha Guterres, duke theksuar se tendosjen akute që fluksi i refugjatëve ka vendosur në ekonomitë e resurset e tyre sociale. “Nëse kjo mbështetje nuk materializohet, rreziqet për paqëndrueshmëri në Lindjen e Mesme do të rriten në mënyrë drastike”, tha ai.