Robelli: BE pritet të emërojë ndërmjetës për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, në lojë edhe tre emra evropianë
Gazetari Enver Robelli ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se Bashkimi Europian pritet që të martën të emërojë diplomatin veteran polak, Tadeusz Kazowiecki, si ndërmjetësues mes partive politike në Kosovë për të ndihmuar në gjetjen e një kandidati konsensual për president. “Burime të mirëinformuara njoftojnë, në kushte anonimiteti, se të martën Bashkimi…
Lajme
Gazetari Enver Robelli ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se Bashkimi Europian pritet që të martën të emërojë diplomatin veteran polak, Tadeusz Kazowiecki, si ndërmjetësues mes partive politike në Kosovë për të ndihmuar në gjetjen e një kandidati konsensual për president.
“Burime të mirëinformuara njoftojnë, në kushte anonimiteti, se të martën Bashkimi Europian do të emërojë diplomatin veteran polak Tadeusz Kazowiecki si ndërmjetësues mes partive politike të Kosovës për gjetjen e një kandidati për president të Kosovës”, ka shkruar Robelli.
Sipas tij, nëse partitë kosovare dështojnë të arrijnë marrëveshje dhe, siç shprehet ai, “e vazhdojnë traditën e ofendimit të zgjedhësve”, ndërmjetësi i BE-së do të propozojë tre personalitete europiane si kandidatë për president të Kosovës me mandat dyvjeçar.
Robelli thekson se Gjermania ka propozuar ish-ministrin e Jashtëm Joschka Fischer, Austria ish-përfaqësuesin e lartë për Kosovën Wolfgang Petritsch, ndërsa Sllovenia ish-presidentin Millan Kuçan.
“Varet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës nëse do të gjejnë një kandidat konsensual vendor apo do të detyrohen të pranojnë një president të vendosur në fron nga BE”, citohet të ketë shkruar ai.
Postimi i gazetarit vjen në prag të 4 marsit, datë kur, sipas afatit kushtetues, Kuvendi i Kosovës duhet të zgjedhë presidentin e ri. Megjithatë, zhvillimet e fundit politike nuk kanë prodhuar marrëveshje konkrete.
Takimi i kryeministrit me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe atë të PDK-së, Bedri Hamza, nuk ka sjellë ndonjë rezultat të dukshëm. Sipas Robellit, ndërmjetësi i mundshëm europian ka përjashtuar edhe opsionin e shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja parlamentare si zgjidhje për ngërçin aktual.
Mbetet të shihet nëse partitë politike do të arrijnë kompromis brenda afatit, apo nëse procesi i zgjedhjes së presidentit do të marrë një dimension të ri me përfshirje më të drejtpërdrejtë të Bashkimit Europian. /Lajmi.net/