Bale i do 6 trofe

Gareth Bale është i etur për trofe. Ylli uellsian synon t’i fitojë gjashtë trofe me Real Madridin këtë sezon, ndërsa objektivi kryesor është mbrojtja e titullit në Ligën e Kampionëve.

Sport

24/07/2014 12:57

Gareth Bale duket më ambicioz se kurrë. Ylli uellsian i ka treguar objektivat e tij për sezonin e ardhshëm, duke insistuar se dëshiron t’i fitojë gjashtë trofe me Real Madridin.

Pa dyshim, objektivi kryesor do të jetë Liga e Kampionëve, edhe pse deri tash asnjë ekip nuk ka arritur ta mbrojë titullin e fituar një vit më parë.

“Mendoj se ky vit do të jetë më i mirë dhe shpresoj se do na shërbejë të gjithëve për t’i arritur objektivat. Ta kemi mundësinë t’i ngrisim lart gjashtë trofe, kjo është fantastike”, deklaroi fillimisht ish futbollisti i Tottenhamit.

“Duam t’i fitojmë të gjithë, edhe pse e dimë se është e vështirë. Objektivat janë të njëjtit në çdo sezon. Do të përballemi me gjashtë tituj dhe e kemi ndërmend t’i fitojmë secilin prej tyre. Na pret një sezon mjaft i gjatë, por shkojmë për të fituar gjithçka”, vazhdoi ai.

“Ne duam ta mbrojmë trofeun e Championsin më shumë se çdokush tjetër. Sekreti i mbrojtjes së tij është shpirti i duhur i ekipit, duke e ndihmuar njëri tjetrin brenda dhe jashtë fushës. Është e vështirë ta përsërisësh suksesin e vjetshëm në Champions, por do të provojmë”, përfundoi Bale.