Bajrami kërkon që t’u kthehen paratë qytetarëve që paguan rrymën me tarifë të shtrenjtë
Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për tarifat e reja të energjisë elektrike.
Lajme
Me anë të një postimi në Facebook, Bajrami ka kujtuar se Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e mëhershëm të Gjykatës Themelore të Prishtinës për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga ZRRE-ja, shkruan lajmi.net.
“Gjykata e Apelit paska vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji”, ka thënë Bajrami.
Tutje, ajo shton se, sipas saj, Bordi i ZRRE-së, ka dy detyra, njëra është anulimi i vendimit për tarifat me rritje dhe të propozojë kompensimin e konsumatorëve, dhe detyra e dytë është, të jap dorëheqje të menjëherë.
“Bordi i ZRRE-së i ka dy detyra: 1. Të anuloj vendimin për tarifat me rritje dhe të propozoj kompenzimin e konsumatorëve për dëmin e shkaktuar nga këto tarifa, 2. Të japë dorëheqje mënjeherë. Mos të harrojmë qeveria ka dhënë 120 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike dhe prapë ZRRE i rriti tarifat në mënyrë diskriminuese, vendim ky tani i rrëzuar nga dy gjykata”, ka përfunduar Bajrami.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses/propozueses Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRrE-së për tarifat e reja për energji elektrike. Paraprakisht, ZRrE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. /Lajmi.net/