Kurti pret në takim ambasadoren e re të Zvicrës në Kosovë, flasin për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim ambasadoren e re të Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin. Duke i uruar mirëseardhje Kurti u shpreh i bindur se gjatë mandatit të saj marrëdhëniet mes dy vendeve do të thellohen edhe më tej. “Miqësia me Zvicrën e hershme, pasi që u bë strehë e shqiptarëve…

Lajme

09/09/2026 19:31

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim ambasadoren e re të Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin.

Duke i uruar mirëseardhje Kurti u shpreh i bindur se gjatë mandatit të saj marrëdhëniet mes dy vendeve do të thellohen edhe më tej.

“Miqësia me Zvicrën e hershme, pasi që u bë strehë e shqiptarëve të përndjekur dhe ndër vite, ka qenë një partner i rëndësishëm i Kosovës në zhvillim, ekonomi dhe siguri. Rreth 200 mijë bashkatdhetarë tanë jetojnë në Zvicër dhe janë të integruar në shoqërinë zvicerane dhe të lidhur fort me Kosovën, e që vazhdojnë të jenë ura më e fuqishme mes dy vendeve tona. Ata nuk janë vetëm dërgues të remitencave, por edhe investitorë, sipërmarrës dhe krijues të vendeve të punës”, tha Kurti.

Kurti falënderoi Zvicrën për mbështetjen e vazhdueshme përmes të tri shtyllave të bashkëpunimit të saj me Kosovën, atë zhvillimore, ekonomike dhe të sigurisë njerëzore, duke theksuar se Kosova është ndër vendet e pakta ku Zvicra i angazhon të gjitha këto instrumente njëkohësisht.

Në veçanti, Kurti falënderoi Zvicrën për praninë e kontingjentit Sëisscoy në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999, si dhe për vendimin e Parlamentit zviceran për vazhdimin e mandatit të tij.

Ai theksoi se ky angazhim është dëshmi e besimit dhe e një partneriteti të qëndrueshëm në fushën e sigurisë.