Bajraktari pret vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së: Prokuroria nuk i ka argumentuar tezat – gjykata shpallë aktgjykimin dhe paraqet konstatimet kryesore
Avokati kosovar, Ardian Bajraktari ka reaguar lidhur me pritjet për aktgjykimin në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Bajraktari në një prononcim për Lajmi.net tha se ndonëse koha e saktë e shpalljes së aktgjykimit nuk mund të parashikohet, procedura parashikon që gjykata fillimisht të…
Lajme
Avokati kosovar, Ardian Bajraktari ka reaguar lidhur me pritjet për aktgjykimin në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Bajraktari në një prononcim për Lajmi.net tha se ndonëse koha e saktë e shpalljes së aktgjykimit nuk mund të parashikohet, procedura parashikon që gjykata fillimisht të shpallë aktgjykimin, të paraqesë konstatimet kryesore dhe dispozitivin, ndërsa vendimi i plotë dhe i arsyetuar publikohet dhe u dërgohet palëve më pas.
“Ndonëse nuk mund të parashikohet me saktësi kohëzgjatja, Gjykata do të shpallë aktgjykimin, do të paraqesë konstatimet kryesore dhe dispozitivin, ndërsa më pas vendimi i plotë dhe i arsyetuar publikohet dhe u dërgohet palëve sipas procedurës së përcaktuar me Ligj dhe Rregulloren e Procedurës dhe të Provave”, tha ai.
Duke komentuar pritjet e tij për epilogun e procesit, Bajraktari ka deklaruar se pret një vendim të drejtë dhe të mbështetur në prova, duke vlerësuar se mbrojtja ka paraqitur dëshmi dhe dokumentacion që, sipas tij, kanë kundërshtuar argumentet e Prokurorisë.
“Pres aktgjykim të drejtë dhe të bazuar në prova të besueshme dhe nga dëshmitarë protagonistë dhe të besueshëm të mbrojtjes. Duke qenë se nuk janë argumentuar tezat e Prokurorisë, veçmas për të ashtuquajturën Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale, andaj pritjet janë për aktgjykim lirues për katërshen e UÇK-së’.
Bajraktari ka vlerësuar gjithashtu se gjatë procesit janë paraqitur, sipas tij, prova kredibile nga mbrojtja, përfshirë dëshmitarë, dokumente dhe raporte, me theks të veçantë në dokumentet e administratës amerikane.
“Prova kredibile të mbrojtjes, përfshirë dëshmitarë që e plotësonin njëri-tjetrin, dokumente, raporte po ashtu shumë kredibile, veçmas dokumente të administratës amerikane, të cilat kanë kundër-argumentu suksesshëm tezat e Prokurorisë.
“Kurse në anën tjetër, mungesa e provave të mjaftueshme dhe bindëse për përgjegjësi komanduese dhe qëllimin për kryerjen e aktiviteteve kriminale, si dhe vlerësimi kritik i dëshmive dhe provave të paraqitura nga Prokuroria, pjesa dërrmuese e të cilave janë siguruar nga regjimi gjenocidal serb”, tha ai për lajmi.net
Sipas avokatit kosovar, në një proces penal barra e provës bie mbi Prokurorinë, e cila duhet të dëshmojë përgjegjësinë individuale të secilit të akuzuar përtej dyshimit të arsyeshëm.
“Është thelbësore. Në një proces penal Prokuroria, e ka barrën e të provuarit, dhe duhet të provojë përtej dyshimit të arsyeshëm përgjegjësinë individuale të secilit të akuzuar. Në mungesë të të provuarit kësaj, epilogu i këtij procesi të stërzgjatur dhe jo pak sfidues duhet të jetë aktgjykimi lirues”, tha ai.
Seanca për shpalljen e aktgjykimit është caktuar të mbahet të mërkurën, më 16 shtator, në orën 10:00, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë./Lajmi.net/