Austria drejt bisedimeve për koalicion, të udhëhequra nga partia e ekstremit të djathtë

Austria po shkon drejt bisedimeve për koalicion të udhëhequra nga Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë (FPO), pasi përpjekjet për të formuar një qeveri pa këtë forcë politike dështuan duke sjellë si rezultat dorëheqjen e Kancelarit Karl Nehammer. Zoti Nehammer, i cili njoftoi se po jepte dorëheqjen të shtunën vonë, kishte mbajtur bisedimet trepalëshe…

Bota

05/01/2025 23:00

Austria po shkon drejt bisedimeve për koalicion të udhëhequra nga Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë (FPO), pasi përpjekjet për të formuar një qeveri pa këtë forcë politike dështuan duke sjellë si rezultat dorëheqjen e Kancelarit Karl Nehammer.

Zoti Nehammer, i cili njoftoi se po jepte dorëheqjen të shtunën vonë, kishte mbajtur bisedimet trepalëshe dhe më pas dypalëshe që synonin krijimin e një koalicioni të qendrës, në përpjekje për të shmangur një qeverisje të FPO-së, pasi partia euroskeptike dhe e afërt me Rusinë doli e para në zgjedhjet parlamentare të shtatorit.

Partia Popullore (OVP) konservatore e zotit Nehammer emëroi Sekretarin e Përgjithshëm Christian Stocker të dielën si udhëheqësin e saj të ri të përkohshëm.

Zoti Stocker kishte përsëritur prej kohësh qëndrimin e zotit Nehammer se OVP nuk do të qeveriste me udhëheqësin e FPO-së Herbert Kickl, por ai tha se gjërat tani kanë ndryshuar.

“Pres që kreu i partisë me më shumë vota të ngarkohet me formimin e një qeverie të ardhshme. Nëse ne jemi të ftuar në këto bisedime (koalicioni), ne do ta pranojmë ftesën,” u tha ai gazetarëve.

“Prandaj nuk është çështja tek Herbert Kickl apo unë, por tek fakti se ky vend ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme tani dhe se ne nuk mund të vazhdojmë të humbim kohë në fushatat zgjedhore apo zgjedhjet”, tha ai.

Presidenti Alexander Van der Bellen, një ish-udhëheqës i të Gjelbërve të krahut të majtë, i cili ka shprehur rezerva rreth emërimit të zotit Kickl si kancelar, zemëroi FPO-në duke mos i kërkuar asaj të formonte një qeveri pas zgjedhjeve me arsyetimin se asnjë parti tjetër nuk ishte e gatshme t’i bashkohej asaj në një koalicion.

Megjithëse tha se situata ka ndryshuar tani, Presidenti Van der Bellen nuk tha shprehimisht se do t’i kërkojë zotit Kickl të drejtojë bisedimet e koalicionit.

Ai do të takohet me zotin Kickl të hënën dhe një kancelar i ri i përkohshëm do të emërohet javën e ardhshme. Zoti Nehammer do të qëndrojë në detyrë deri atëherë.

“Zërat brenda Partisë Popullore që përjashtojnë bashkëpunimin me një FPO-në nën Herbert Kickl janë zbutur. Kjo nga ana tjetër do të thotë se mund të hapet një rrugë e re që nuk ekzistonte më parë,” tha Presidenti Van der Bellen në një fjalim drejtuar kombit. /VOA