Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë: 10 incidente e 12 punonjës të medias të prekur gjatë protestave në Tiranë
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka dokumentuar të paktën 10 incidente dhe 12 gazetarë, operatorë e ekipe mediatike të prekura gjatë protestave të 13 dhe 14 tetorit në Tiranë. Sipas AGSH-së, nëntë incidente lidhen me veprime të raportuara të Policisë së Shtetit, ndërsa një me sulmin e protestuesve të maskuar ndaj një ekipi mediatik.…
Lajme
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka dokumentuar të paktën 10 incidente dhe 12 gazetarë, operatorë e ekipe mediatike të prekura gjatë protestave të 13 dhe 14 tetorit në Tiranë.
Sipas AGSH-së, nëntë incidente lidhen me veprime të raportuara të Policisë së Shtetit, ndërsa një me sulmin e protestuesve të maskuar ndaj një ekipi mediatik. Të paktën tre punonjës të medias kanë pësuar dëmtime fizike.
Organizata dënon pengimin e gazetarëve në krye të detyrës dhe u kërkon Policisë, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë të nisin verifikimet dhe hetimet për rastet e dokumentuara, si dhe të marrin masa për të garantuar sigurinë e gazetarëve gjatë protestave.
DEKLARATA E PLOTE
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon me forcë dhunën, intimidimin dhe pengimin e gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë protestave të studentëve në Tiranë, më 13 dhe 14 tetor 2026. Gjatë këtyre dy ditëve, AGSH ka dokumentuar të paktën 10 incidente që kanë prekur 12 gazetarë, operatorë dhe ekipe mediatike, përfshirë sulme fizike, dëmtime, kërcënime, pengim të raportimit dhe vandalizim të pajisjeve të medias.
Vetëm gjatë ditës së merkure, 14 tetor, AGSH ka dokumentuar pesë incidente, katër prej të cilave lidhen me veprimet e Policisë së Shtetit dhe një me sulmin e protestuesve të maskuar ndaj një ekipi mediatik.
Gazetarja e Euronews Albania, Enkelejda Mema, është penguar nga efektivë të Policisë së Shtetit për të filmuar dhe raportuar gjatë protestës. Pengimi i saj për të dokumentuar zhvillimet në terren përbën një ndërhyrje të papranueshme në ushtrimin e detyrës gazetareske.
Në një tjetër incident, gazetares së Euronews Albania, Alice Taylor, një efektiv policie i ka marrë telefonin nga dora ndërsa ajo po fotografonte protestën. Sipas dëshmisë së dhënë për AGSH-në, efektivi i është afruar nga pas dhe ia ka rrëmbyer telefonin pa paralajmërim. Megjithëse gazetarja është identifikuar si punonjëse e medias, duke treguar një etiketë me emrin e saj dhe të Euronews, efektivi ka refuzuar disa herë t’ia kthente pajisjen. Telefoni i është kthyer vetëm pas disa minutash, pas ndërhyrjes së një kolegu të efektivit dhe protestuesve që konfirmuan identitetin e saj si gazetare.