“Askush nuk kishte aq shumë autoritet, aq më pak Thaçi 27-vjeçar” – Agon Maliqi pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

Njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Agon Maliqi tha se Gjykata Speciale në Hagë, me dënimin prej 51 vjetësh burgim për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shkallën e parë, në thelb gjykoi konfiliktin ndërmjet shqiptarëve gjatë luftës për pavarësinë e vendit. Maliqi shkoi në X se rezultati nuk ishte i pritshëm, përveç për…

Lajme

17/09/2026 11:02

Njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Agon Maliqi tha se Gjykata Speciale në Hagë, me dënimin prej 51 vjetësh burgim për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shkallën e parë, në thelb gjykoi konfiliktin ndërmjet shqiptarëve gjatë luftës për pavarësinë e vendit.

Maliqi shkoi në X se rezultati nuk ishte i pritshëm, përveç për ata që tha se “e konsiderojnë ekzistencën e UÇK-së si kriminale në vetvete”.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës i shpallën të pafajshëm udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për akuzat për krime kundër njerëzimit dhe shënjestrimin e popullsisë civile serbe, dhe përfunduan duke gjykuar në thelb një konflikt brenda shqiptarëve gjatë luftës për pavarësi. Ndërsa UÇK-ja rritej me shpejtësi në të gjithë Kosovën dhe shumë njerëz morën armët për të luftuar kundër ushtrisë së Millosheviqit – veçanërisht pas masakrës së familjes Jashari nga kjo e fundit – u shfaqën konflikte lokale nëpër fshatra, të cilat çuan në qendra të improvizuara të ndalimit, ku u dokumentuan keqtrajtimet dhe vrasjet e të ndaluarve”, shkroi ai mbrëmë.

“Rezultati i sotëm kundër udhëheqjes së UÇK-së nuk ishte – siç pretendojnë disa – i pritshëm. Mund të ketë qenë i tillë për ata që e konsiderojnë ekzistencën e UÇK-së si kriminale në vetvete – gjë që nuk ishte dhe nuk do të jetë kurrë e tillë për shumicën dërrmuese të shqiptarëve (kushëriri im luftoi në të)”, shtoi Maliqi.

Analisti politik tha se nuk është i bindur se “është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se udhëheqësit e kësaj ushtrie, të përbërë nga luftëtarë të armatosur në mënyrë të improvizuar, kishin aq shumë pushtet sa të mbanin përgjegjësi për krimet vetëm mbi bazën e zinxhirit komandues”.

“Askush në atë kontekst nuk kishte aq shumë autoritet – e aq më pak një Thaçi 27-vjeçar”, tha ai.

“Besoj se një proces i drejtë apelimi do ta rrëzojë këtë vendim dhe do të kërkojë që krimet të trajtohen në nivelet e duhura të përgjegjësisë individuale. Gjithashtu shpresoj që ata që e kanë sponsorizuar gjykatën të bëjnë një rishikim të plotë të integritetit të procedurave. Kosova nuk është i njëjti vend pas ditës së sotme. Kam frikë se po shkojmë me kokë drejt një spiraleje rënëse, në të cilën Perëndimi – pasi e la Kosovën në një vakum ndërkombëtar për vite me radhë – ka humbur me shpejtësi besueshmërinë, autoritetin, partnerët… dhe kontrollin mbi situatën”, shkroi Maliqi.