Arsenali interesohet për shërbimet e Bernardo Silvës

Pep Guardiola gjatë një konference të djeshme për shtyp konfirmoi që 2-3 lojtarë dëshirojnë të largohen nga klubi këtë merkato, dhe njëri ndër ta është edhe Bernardo Silva.

Sport

07/08/2021 14:44

Pas kësaj deklarate të Pep, disa ekipe janë informuar për situatën e Bernardos, ndër to edhe ekipi anglez Arsenal, raporton Mirror.

Sipas Mirror, skuadra e Arsenal është duke u përgaditur për një lëvizje ‘shokuese’ për mesfushorin portugez, me menaxherin Mikel Arteta që dëshiron të shtoj më shumë kreativitet në skuadrën e tij.

Tashmë duket e sigurtë që “Gunners” do të transferojnë një mesfushor kreativ gjatë kësaj merkato, dhe mediat e ndryshme angleze deri tani kanë raportuar për Martin Odegaard dhe James Maddison si dy emrat e lakuar për një lëvizje të mundshme tek ekipi londinez, megjithatë tani pas informimit se Bernardo dëshiron të largohet, Arsenal mund të ndryshoj listën e objektivave.

Leicester kërkojnë një shumë tejet të lartë për mesfushorin e tyre Maddison që kap shifrën e 70 milionë funteve, kurse Odegaard ka më shumë gjasa që të qëndroj tek ekipi madrilen, pasi Ancelotti dëshiron të mbajë norvegjezin në skuadër.

Përndryshe deri tani Arsenal ka shpenzuar rreth 75 milionë funte në tre transferimet e deritashme, Nuno Tavares (7M), Albert-Sambi Lokonga (18M) dhe Ben White (50M).