Arrestohen 11 sulmues të lokaleve të shqiptarëve, si do të veprojë gjyqësia?

Policia ka zgjidhur të gjitha veprat penale të sulmeve ndaj furrave e lokaleve të shqiptarëve në Vojvodinë, duke arrestuar 11 persona të dyshuar, por tashti mbetet të shihet si do të performojë gjyqësia. 

Lajme

21/10/2014 19:10

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, gjatë 3 ditëve të kaluara policia ka marrë në pyetje 91 persona për shkak të thyerjes dhe tentim-djegies së 23 lokaleve të shqiptarëve të Kosovës në Vojvodinë.

“Janë arrestuar edhe autorët e djegies së derës së një xhamie në Suboticë (një serb dhe një hungarez)”, tha ai, duke shtuar se sipas njohurive policore, këto nuk ishin sulme të organizuara nga një qendër, por të individëve, kryesisht të mitur, pas ndërprerjes së ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Komisioni përkatës i Kuvendit të Serbsië, ku raportoi ministri Stefanoviq, gjykoi sulmet dhe vlerësoi se shteti duhet të tregojë vendosmëri kundër autorëve të këtyre sulmeve.

Mirëpo, si tha Bojan Kostresh, nënkryetar i komisionit, policia edhe më parë ka kryer pjesën e punës së saj, por organet gjyqësore nuk i kanë proceduar me kohë rastet dhe kësisoj kanë inspiruar huliganët për të vazhduar me vandalizëm.