Arifi: Përbërja e re e Kuvendit po e ngushton hapësirën për demokraci
Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit kanë sjellë një legjislaturë të re të Kuvendit të Kosovës, duke rikonfiguruar raportet e forcave politike dhe duke hapur një debat të gjerë mbi funksionimin e demokracisë parlamentare në vend. Rezultati zgjedhor ka prodhuar një shumicë të konsoliduar për partinë në pushtet, ndërkohë që partitë opozitare kanë shënuar rënie, duke…
Lajme
Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit kanë sjellë një legjislaturë të re të Kuvendit të Kosovës, duke rikonfiguruar raportet e forcave politike dhe duke hapur një debat të gjerë mbi funksionimin e demokracisë parlamentare në vend.
Rezultati zgjedhor ka prodhuar një shumicë të konsoliduar për partinë në pushtet, ndërkohë që partitë opozitare kanë shënuar rënie, duke dobësuar rolin e tyre si faktor balancues dhe mbikëqyrës i qeverisjes.
Në këtë kontekst të ri politik, vëmendja është përqendruar në marrëdhëniet ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë, në kapacitetin e opozitës për të ushtruar kontroll demokratik, si dhe në respektimin e parimeve kushtetuese që përcaktojnë Kosovën si demokraci parlamentare.
Analistë politikë paralajmërojnë se një Kuvend me dominim të theksuar të një force politike rrezikon të shndërrohet në institucion formal të miratimit të vendimeve ekzekutive, në vend se në hapësirë debati, përfaqësimi dhe llogaridhënieje.
Komentet kritike të njohësve të zhvillimeve politike sugjerojnë se legjislatura e re do të përballet me sfida serioze, përfshirë rikthimin e besimit në institucionet demokratike, tejkalimin e ngërçeve politike dhe garantimin e funksionimit efektiv të Kuvendit si organi më i lartë përfaqësues i qytetarëve.
Analisti politik Avni Arifi, për FrontOnline, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës dhe përbërjen e saj politike, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Sipas tij, konfigurimi aktual i Kuvendit nuk krijon kushte të favorshme për zhvillim të mirëfilltë demokratik.
Arifi vlerëson se dominimi i një partie në shumicën parlamentare rrezikon balancat demokratike dhe rolin mbikëqyrës të Kuvendit ndaj ekzekutivit.
“Përbërja e re e Kuvendit nuk ka hapësirë për zhvillim demokracie, pasi që shumica e saj është fituar nga një parti, deputetët e së cilës punën e tyre e shohin si instrument implementues të Sundimtarit. Pak demokraci dhe shumë hapa drejt monizmit”, ka deklaruar Arifi.