Argumente, e jo spektakël

Xhavit Haliti komenton në lajmi.net intervistimin e Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi nga EULEX. Sipas tij, për t’i marrë në pyetje politikanët e kalibrit të lartë, duhet të ekzistojnë argumente të fuqishme dhe kjo të mos bëhet mbi bazë të thashethemeve.

Lajme

20/12/2013 17:20

Nënkryetari i Kuvendi të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se EULEX do të duhej që të kishte argumente të shumta përpara se ta intervistonte një politikan të kalibrit të lartë, siç është Jakup Krasniqi.

Haliti deklaroi në një intervistë për lajmi.net se drejtësia do të duhej të vepronte mbi bazë të argumenteve dhe të mos lërë përshtypjen se po bëhen spektakle.

“E drejta e drejtësisë është që secilin për të cilin ka dyshime – ta pyes atë”.

“Por, unë besoj që për kalibrat ose politikanët e nivelit të lartë, do të duhej vërtet të kishte argumente shumë, që të mos dalë edhe EULEX’i, të mos merret me thashetheme, po të ketë argumente, dhe jo vetëm sa për të bërë spektakle”.

“Unë nuk i di detajet, me siguri që edhe EULEX’i, edhe z. Krasniqi, do të deklarohen rreth kësaj”.

“Por, nuk do të dëshiroja që vërtet të merremi me spektakle, por të merremi me çështje që duhet të merremi”.

Xhavit Haliti thotë se të gjithë pa përjashtim duhet të përballen me sfidat që vijnë nga drejtësia, para të cilës askush nuk ka më imunitet.

“Tani, ne duhet të përballemi me sfidat që vijnë nga drejtësia dhe askush nuk është imun, askush s’mundet të refuzojë, në këtë rast marrjen në pyetje nga EULEX’i”.

“Unë besoj që z. Krasniqi është ftuar për shkak se u krijua një farë opinioni, i ngritur pas arrestimeve të ish-ushtarëve dhe drejtuesve të UÇK’së, kryesisht nga zona e Drenicës”.

“Ai (Krasniqi) është pyetur për një çështje që ka qenë nëpër media dhe normalisht që pas kësaj është liruar dhe ka shkuar në shtëpi”.

“Tani, unë po them që ne kemi dorëzuar të gjithë imunitetetin, nuk ka askush në Kosovë imunitet”, ka deklaruar Xhavit Haliti për lajmi.net.

 

Veturat e Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi në Selinë e EULEX’it në Fushë-Kosovë. | Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net

 

Sot në mesditë Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili ka qenë njëri nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, është intervistuar nga EULEX si i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile, gjatë periudhës 1998-1999, e që ka të bëjë me rastin tashmë të hapur dhe të njohur si “Grupi i Drenicës”.