Aplikacioni i Facebook merr të dhënat private të 3 milionë përdoruesve

Vetëm kur mendoni se gjërat nuk mund të keqësohen për Facebook, është kuptuar se një tjetër aplikacion mashtrues ka zbuluar detajet “intime” të tre milionë përdoruesve.

Auto & Tek

15/05/2018 21:39

New Scientist raporton se aplikacioni ‘myPersonality’, i zhvilluar nga akademikët e Universitetit të Kembrixhit, shpërndau përgjigjet e përdoruesve tek studiuesit në kompani, duke përfshirë Facebook, Google, Microsoft dhe Yahoo duke përdorur një faqe interneti të pasiguruar.

Një fjalëkalim dhe emri i përdoruesit që u siguronte qasje në të dhëna – të cilat u kontrolluan nga David Stillwell dhe Michal Kosinski në Qendrën Psikometrike të Universitetit – ishin në GitHub, të disponueshme për publikun, për katër vitet e fundit.

Edhe pse të dhënat u pastruan nga përdoruesit para se t’u jepeshin studiuesve, New Scientist raporton se çdo përdoruesit në grupin e të dhënave u jepej një ID unike, e cila lidhi së bashku të dhëna të tilla si mosha e përdoruesit, gjinia, vendndodhja, azhurnimet e statusit, rezultatet në kuizin e personalitetit dhe më shumë.

Me kaq shumë informacione, de-anonimizimi i të dhënave mund të bëhet shumë lehtë, dhe raporti pohon se kushdo që dëshironte qasje në grupin e të dhënave mund të kishte gjetur çelësin për ta shkarkuar atë në më pak se një minutë

Universiteti i Kembrixhit thotë se është njoftuar për çështjet që rrethojnë myPersonality nga Zyra e Komisionerit të Informacionit dhe i tha New Scientist se ky aplikacion “nuk ka kaluar nëpër procesin tonë të miratimit etik”.

Facebook tha se e pezulloi aplikacionin myPersonality më 7 prill dhe shtoi se mund të hiqet përgjithmonë nga platforma në varësi të rezultateve të hetimit të vazhdueshëm të rrjetit social.

“Ne e pezulluam aplikacionin myPersonality pothuajse një muaj më parë, sepse besojmë se mund të ketë shkelur politikat e Facebook”, tha Ime Archibong, zëvendëspresident i Facebook për Partneritetet e Produkteve.

“Ne aktualisht po hetojmë aplikacionin, dhe nëse ky aplikacion refuzon të bashkëpunojë ose nuk arrin auditimin tonë, ne do ta ndalojmë atë.”